Emisioni “Pro Business” në Tv Klan kishte në fokus në pjesën e parë këtë të shtunë situatën me financimin e SME-ve me fokus bujqësinë. Në një intervistë në studio Erald Themeli, drejtor i Politikës Monetare pranë Bankës së Shqipërisë ka sjellë një analizë të kreditimit për këtë kategori.
“Analizat tona të kohëve të fundit kanë evidentuar një fakt të rëndësishëm që megjithëse kemi një rritje relativisht të shpejtë, të qëndrueshme e solide të kredisë në përgjithësi për ekonominë shqiptare dhe për bizneset në veçanti, fakti është që kreditimi i sektorit të vogël e të mesëm ecën me ritme mjaft më të ngadalta në krahasim me kreditimin sektorit të biznesit të madh apo korporatave”.
Më shqetësuese situata duket për kreditimin e bujqësisë.
“Pjesa e kredisë bankare që shkon për sektorin bujqësor nuk e kalon nivelin 2% të totalit të kredisë bankare për bizneset. Gjendja e fundit në vitin 2024, pra duket që ka një ngërç më të madh dhe Banka e Shqipërisë ka theksuar që megjithëse programi jonë ka një akses të lirë për të gjithë bizneset në të gjithë sektorët e ekonomisë, ne u kemi bërë thirrje vazhdimisht bankave tregtare që të orientohen me prioritet drejt kreditimit të sektorit bujqësor sepse dhe ky ka potenciale mjaft të mëdha për nxitjen e rritjes ekonomike dhe zgjerimin e bazës së saj në të gjithë sektorët ekonomisë”.
Por çfarë e bën të vështirë kreditimin e këtij sektori?
“Kolaterali është i fundit në gamën e treguesve të cilët banka përdor për të lëvruar një kredi. Në radhë të parë ajo që kërkon banka është një plan biznesi solid, që do të thotë që këto para të cilat banka i jep hua, borxh ose kredi duhet të ketë një shkallë të pranueshme garancie që do të kthehen. Në rast se nuk kthehen pastaj banka është e detyruar të marrë kolateralin për të mbrojtur kursimet e qytetarëve. Megjithatë duke u nisur nga problemet e zhvillimit të sektorit bujqësor që është fragmentarizmi i tokës, lidhja e pakët që ka ky sektor me konsumatorin final qoftë i brendshëm, qoftë i jashtëm dhe këtu kam parasysh gjithë segmentet e tregtisë, të magazinimit, të përpunimit të cilat nuk janë të zhvilluara në nivelin e duhur dhe krijojnë një ngërç në kreditimin e sektorit bujqësor.”
Në studion e “Pro Business” ai dha detaje lidhur me linjën e re të financimit prej 250 milion Euro për SME-të me fokus bujqësinë.
“Ne kemi këtë fond që shkon në 25 miliardë Lekë të cilin ua vëmë në dispozicion bankave tregtare që mund ta përdorin këtë fond kundrejt detyrimit dhe angazhimit të tyre për ta transmetuar, për ta përcjellë në kredi për SME-të, në të gjithë segmentet e ekonomisë dhe më pas te sektori bujqësor. Me një normë interesi e cila është ndjeshëm më e ulët në raport me normat e interesit që prevalojnë aktualisht. Konkretisht ne kemi vënë një limit prej 3.5% për normën e interesit të përgjithshëm të nivelit të kredive për SME-të.”/tvklan.al