Një vajzë 1-vjeçare ndërroi jetë vetëm pak ditë pasi mjekët zbuluan se në kafkën e saj po zhvillohej motra e saj binjake. Fëmija u shtrua në spital për shkak të kafkës së zmadhuar dhe pamundësisë për të ndenjur ulur ose të ngrihej në këmbë, shkruan The Sun.
Veç kësaj, ajo kishte vonesa në lëvizjet motorike dhe në të folur sepse e vetmja fjalë që mund të shqiptonte ishte “mami”.
Grafitë treguan se simptomat ishin të shkaktuara nga një fetus që rritej në trurin e saj të cilit i ishin zhvilluar shtylla kurrizore, organet dhe gishtërinjtë. Neurokirurgët ia dolën ta hiqnin nga kafka, por vetëm 12 ditë më vonë vogëlushja ndërroi jetë si pasojë e dëmtimit të rëndë në tru.
Sindroma e rrallë njihet si FIF ose fetus parazit i cili mund të ndodhë 1 në 500.000 lindje.
Është një anormalitet i rrallë ku një fetus i paformuar gjendet brenda trupit të binjakut tjetër dhe zakonisht në zonën e barkut. Megjithatë ka patur raste kur janë gjetur në kafkë, legen dhe gojë. Në literaturën mjekësore njihen më pak se 200 raste.
Sindroma është thuajse 100% fatale kur ndodh në kokë. Shkaqet dhe mekanizmat janë ende mister por mendohet të jenë për shkak të ndotjes mjedisore, gjeneve, temperaturave të ulëta, ekspozimit ndaj pesticideve në shtatzëninë e hershme etj. Ajo mund të dallohet vetëm në fazat e vonshme të shtatzënisë ndaj diagnostikimi i hershëm është një sfidë për mjekët.
Në rastin e 1-vjeçares, mjekët vunë re anormalitetin në kokë kur nëna ishte 33-javëshe, por skaneri nuk tregoi asgjë më tepër.
Edhe kur fëmija erdhi në jetë, u vu re se përmasat e kokës ishin të mëdha krahasuar me një fëmijë tjetër. Kur u paraqit në spital, gjatësia e fëmijës ishte 70 cm ndërsa perimetri i kokës 56.6 cm.
Embrioni i gjetur në kokë ishte i gjatë 18 centimetra, me tipare të keqformuara dhe gjymtyrë. Pas operacionit, vogëlushja vazhdoi të mbetej e pavetëdijshme dhe kalonte kriza derisa ndërroi jetë pas 12 ditësh./tvklan.al