Lokali ku ndodhi masakra me 1 të vrarë e 5 të plagosur në “Don Bosko” në kryeqytet është në pronësi të Fatjon Muratit, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare.
Fatjon Murati është me masë sigurie arrest shtëpie, por ai nuk gjendet nga policia në shtëpinë e tij.
Ditët e fundit ishte bërë dhe kontrolli i prezencës së tij në banesë nga oficerët e policisë. Fatjon Murati kishte firmosur deklaratën që ndodhej në shtëpi. Por më pas, ai u largua.
Sipas gazetarit të Klan News Besar Bajraktari, Murati mendohet të jetë arratisur drejt Kosovës. Prej këtej, hetuesit kanë dyshime se ai është larguar drejt Turqisë.
Por kush është Fatjon Murati? Ai u ndalua për herë të fundit nga policia mbrëmjen e 8 Tetorit 2022 në kryeqytet.
Ai u konstatua brenda një makine luksoze në Tiranë që u ndalua për kontroll. Së bashku me të në makinë ishte edhe Endrit Dokle. Fation Murati në atë kohë ka qenë në kërkim dhe ishte pikërisht një informacion i policisë se ky person po qarkullonte në rrugë të ndryshme të Tiranës.
Fation Murati ishte i shpallur në kërkim pasi gjurmë e gishtit të tij është gjetur në një send gjatë kontrollit të banesës së Kristin Gjinit në 12 Korrik 2022 ku u sekuestruan një arsenal armësh. Murati ka mohuar para hetuesive që të ketë njohje me Gjinin dhe se nuk ka lidhje më arsenalin e armëve. Ndërsa për shenjën e gishtit ai nuk ka dhënë asnjë shpjegim.
Mbrëmjen e 8 Tetorit Murati u shoqërua në polici së bashku më Endrit Doklen dhe kunatin e tij Gentian Reçi. Dokle dhe Reçi u lanë të lirë nga policia pasi nuk u konstatuan sende të paligjshme në automjet dhe nuk kishte arsye për tu ndaluar.
Para këtij momenti, Fatjon Murati ishte paraqitur në Policinë e Krujës së bashku me Gentin Rerçin ku dhanë sqarime për masakrën e 3-fishtë tek mbikalimi i Fushë-Krujës ku humbën jetën Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha. Ata mohuan që të kenë lidhje me këtë ngjarje dhe pas dhënies së deklarimeve u larguan.
Në atentatin e 12 Marsit 2023, në lokalin e Fatjon Muratit u vra banakierja Mimoza Paja 58 vjeç dhe u plagosën 5 persona të tjerë Shehat Murati 50 vjeç (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj 42 vjeç, Emanuel Sala 47 vjeç, Ermir Bejuku 45 vjeç dhe Genc Shohalli 55 vjeç. /tvklan.al