Trump merr disa shtete të rëndësishme
Populli amerikan foli. Tani është radha për të zbuluar se cili do të jetë personi që do të drejtojë Shtetet e Bashkuara për 4 vitet e ardhshme, Donald Trump për një mandat të dytë apo Joe Biden.
Aktualisht kryeson demokrati me mbështetje popullore 50%, çka përkthehet në 238 vota kolegji. Ndërsa republikani ka një mbështetje prej 48.4%, ose 213 vota kolegji. Për t’u zgjedhur president nevojiten 270 vota në kolegj dhe kjo tregon se gara do të jetë e hapur deri në sekondat e fundit të numërimit.
Diferenca mes kandidatëve është aktualisht e ngushtë me rreth 2%, shumë herë larg parashikimeve të sondazheve që parashikonin humbjen e Donald Trump-it me një diferencë deri 8%. Me rezultatet e deritanishme mund të thuhet se sondazhet amerikane dështuan edhe një herë.
Në shtetet federale si Florida, Teksasi apo Ohaio, ku sondazhet u jepnin demokratëve shpresa të mëdha janë qartazi në favor të republikanit Trump. Aty janë numëruar pjesa më e madhe e votave dhe nuk bëhet më fjalë për përmbysje rezultati pasi diferenca është e thellë, deri në 5%.
Biden-i ka avantazh në Arizonën që deri më sot ka qenë bastion i republikanëve. Shtetet e diskutueshme që pritet të bëjnë edhe diferencën janë aktualisht 8, mes tyre Pensilvania, Michigan, Wisconsin, Georgia e Alaska. Trump është në avantazh mes të tjerash në Pensilvaninë e shumëpërfolur që renditet ndër vendet me numrin më të lartë të anëtarëve të kolegjit.
Por peshorja është kthyer në favor të Biden-it në Wisconsin gjatë orëve të fundit. Në numërim janë edhe votat për pjesën më të madhe të anëtarëve të senatit dhe dhomës së përfaqësuesve.
Tv Klan