Dy persona kanë rënë në prangat e policisë pasi akuzohen për shitje droge. Sipas asaj që bëjnë të ditur uniformat blu në pranga ka rënë personi me iniciale F. K. pasi lëvizte me taksi të ndryshme, për të shpërndarë doza heroine.
Gjithashtu në pranga ka rënë edhe 36-vjeçari pasi nga kontrolli në automjet u gjet një pako me 56 gram kokainë.
Bëhet e ditur se policia ka sekuestruar lëndët narkotike, shuma parash në Lekë dhe në Euro të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike, 5 celularë, 1 peshore elektronike dhe 1 automjet.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
“Lëvizte me taksi të ndryshme, për të shpërndarë doza Heroine, arrestohet në flagrancë në një nga këto mjete, autori. Në pranga dhe një 36-vjeçar që u kap në Vorë, me një pako me Kokainë me vete. Sekuestrohen lëndët narkotike, shuma parash në lekë dhe në euro të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike, 5 celularë, 1 peshore elektronike dhe 1 automjet.
Në kuadër të operacioneve të njëpasnjëshme kundër narkotikëve, të zhvilluara si rezultat i kontrolleve dhe administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, u finalizua operacioni policor “Fshehtësia”, gjatë të cilit u goditën 2 raste të shitjes së drogave të forta. Konkretisht: Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 ndaluan në rrugën e Kavajës, taksinë ku ishte pasagjer shtetasi F. K., banues në Tiranë. Nga kontrollet fizik dhe në banesë, atij iu gjetën doza Heroine (me peshë totale 50 gramë), 250 000 lekë, 100 euro dhe 1 peshore elektronike. Në bashkëpunim dhe me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, shtetasi F. K. u vu në pranga, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë ndaluan në fshatin Muçaj, automjetin me drejtues shtetasin E. N., 36 vjeç, banues në Fier. Nga kontrolli në automjet u gjet një pako me 56 gramë Kokainë. Në bashkëpunim dhe me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, 36-vjeçari u vu në pranga, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve””, thuhet në njoftimin e policisë.
/tvklan.al