Gjermania ka dalë edhe një herë kundër përdorimit të vetos nga Greqia dhe Bullgaria, gjë që po mban peng për negociatat Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kryediplomatja gjermane Annalena Baerbock propozoi marrjen e vendimeve me një shumicë të cilësuar në vend të arritjes së unanimitetit.
“Ne duhet që ta reformojmë BE-në. Për mendimin tim, kjo përfshin reduktimin e përdorimin e të drejtës së vetos në Këshillin Evropian. Ne duhet të mbetemi të aftë për veprim edhe në një familje të ardhshme që mund të numërojë mbi 35 anëtarë. Kjo përfshin marrjen e vendimeve më shpesh me një shumicë të cilësuar në vend të arritjes së unanimitetit.”
Ministrja Federale e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka deklaruar se zgjerimi i BE-së, është gjithashtu një domosdoshmëri gjeopolitike.
“Ne nuk mund të lejojmë edhe një herë një brez të tërë në dhomën e pritjes së BE-së, si në vendet e Ballkanit Perëndimor. Zonat gri politike dhe gjeografike në Ballkanin Perëndimor apo në lindje të BE-së janë shumë të rrezikshme. Ne nuk mund të përballojmë zona të tilla gri, pasi për Putinin ato janë një ftesë për të ndërhyrë dhe destabilizuar kontinentin evropian e më gjerë. Ne nuk duhet të humbasim mundësinë për ta bërë familjen tonë më të madhe, më të fortë dhe më të sigurt.”
Sipas Baerbock agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, e ka bërë zgjerimin e BE-së një domosdoshmëri gjeopolitike.
Klan News