Konservatorët gjermanë dhe socialdemokratë nisën bisedimet për formimin e një koalicioni qeveritar.

Friedrich Merz, lideri i bllokut konservator që doli i pari në zgjedhjet e së dielës së kaluar, ka thënë se dëshiron që një qeveri të krijohet deri për Pashkë.

Vështirësitë mund të shtohen duke patur parasysh kritikat që Merz i ka bërë Olaf Scholz. Bisedimet drejtohen nga kreu i CDU-së Friedrich Merz dhe kryetari i SPD-së Lars Klingbeil.

Ndërsa CDU u shfaq si forca më e fortë, një aleancë CDU-SPD shihet si mjeti i vetëm për të arritur një koalicion dypartiak që përjashton Alternativën për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë, e cila përfundoi e dyta në votim.

Bisedimet që përfshijnë nëntë figura të larta nga secila palë, mund të çojnë më vonë në diskutime më të detajuara që përfshijnë grupe pune për fusha të ndryshme, me synimin për të hartuar një axhendë katërvjeçare.

Konservatorët e përqëndruan fushatën e tyre tek dy pika kryesore, për të nxjerrë Gjermaninë nga recesioni dhe për të kufizuar emigracionin. Nga ana tjetër, Olaf është shprehur për një rritje të pagës minimale dhe kundërshton vizionin e Merz për kontrolle më të forta kufitare.

Klan News