Ukraina shënon sot është tre vjetorin e nisjes së agresionit rus. Më 24 Shkurt 2022, Rusia pushtoi Ukrainën, duke përshkallëzuar më tej konfliktin që kishte nisur në vitin 2014.

Konflikti më i madh dhe më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore ka shkaktuar qindra mijëra viktima.

Për të shënuar këtë tre vjetor, udhëheqësit e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa, Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez dhe Kryeministri kanadez Justin Trudeau si dhe liderët e vendeve nordike edhe baltike u mblodhën në Kiev.

“Ne jemi sot në Kiev, sepse Ukraina është Europa. Në këtë luftë për mbijetesë, nuk është vetëm fati i Ukrainës që është në rrezik. Është fati i Evropës,” shkroi von der Leyen në X.

Nga Kievi, Presidentja e Komisionit Evropian zbuloi një paketë ndihme financiare prej 3.5 miliardë Eurosh fonde shtesë në buxhetin e Ukrainës dhe për të lehtësuar blerjen e pajisjeve ushtarake nga industria e saj vendase. 3.5 miliardë Euro është një paradhënie për një fond më të madh ndihme prej 50 miliardë Eurosh që Bashkimi Evropian krijoi në fillim të vitit 2024. 

Ndërkaq, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se është krenar për vendin e tij, për “tre vjet të rezistencës” dhe për “tre vjet të heroizmit absolut të ukrainasve”.

“Faleminderit për të gjithë ata që e mbrojnë dhe e ndihmojnë Ukrainën. Për të gjithë ata që punojnë për Ukrainën. Dhe, qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për shtetin dhe popullin tonë”, tha Zelensky.

Fituesi i zgjedhjeve në Gjermani dhe kancelari i mundshëm i ardhshëm, Friedrich Merz, e dënoi agresionin rus dhe krimet e luftës.

Tani më shumë se kurrë, ne duhet ta vendosim Ukrainën në një pozicion fuqie. Për një paqe të drejtë, duhet të jetë pjesë e negociatave të paqes”, shkroi Merz në platformën X.

Nga ana tjetër Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian mbajtën një minutë heshtje për të shënuar tre vjet të luftës në Ukrainë në Bruksel.

Ata miratuan një paketë të 16-të sanksionesh kundër Rusisë. Paketa e fundit ndalon importet e aluminit nga Rusia dhe dyfishon numrin e anijeve në të ashtuquajturën “flota hije” e Rusisë duke e rritur totalin në 153.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, bën thirrje për mbështetje për Ukrainën  dhe u shpreh se të martën do të takohet me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Rubio, në OKB.

Klan News