Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është dënuar nga Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Nga ana e togave të zeza u vendos që të lihej në fuqi vendimi i Shkallës së Parë për shpërdorim detyre.
Tahiri u dënua me 5 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet 1/3 e dënimit. Tashmë ish-ministri do të vendoset në qeli për 3 vite e 4 muaj.
Tahiri do ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Ish-ministri ka të drejtën e rekursit në Gjykatën e Lartë 45 ditë nga dhënia e këtij vendimi.
Vendimi i Gjykatës: Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pasi dëgjoi relativin e gjyqtarit Enger Pëllumbi, prokurorët, të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre, në bazën për zbatim të shkronjave a dhe b të nenit 428 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi:
1. Lënien në fuqi të vendimit numër 60, datë 19/09/2019 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda , Tiranë, me ndryshimin si më poshtë.
2. Moszbatimin e nenit 59 të Kodit Penal për të pandehurin, zotin Saimir Tahiri. Vuajtja e dënimit me burgim për të pandehurin, zotin Saimir Tahiri fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi dhe kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi. Shpenzimet gjyqësore për gjykimin në apel sikurse janë bërë. Këtij vendimi i lejohet rekursi në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar. U shpall në Tiranë sot, më datë 04/02/2022.
Në mënyrë të përmbledhur, gjykata parashtron këto argumente:
Konkluzionet mbi të pandehurin, zotin Saimir Tahiri. Gjykata konkludoi se në ngarkim të të pandehurit, zotit Saimir Tahiri rezultojnë të provuara këto fakte:
1.Lidhja e qëndrueshme në kohë dhe e dokumentuar në prova me të pandehurin në procedim të lidhur, zotin Moisi Habilaj dhe me shtetasin, zotin Artan Habilaj.
2.Lidhja e pashpjegueshme arsyeshëm me ministrin e Brendshëm që janë të njohura në komunitetin e funksionarëve shtetërorë, vendorë dhe qendrorë, kanë krijuar premisë më të favorshme për infiltrimin e grupit kriminal në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit, me pasojë të drejtpërdrejtë vështirës dhe pengesat shtesë në parandalimin dhe luftimin e këtyre veprimtarive kriminale.
3.Shoqëruar në të njëjtën periudhë edhe me bashkëpunimin në shkallë të lartë të një numri të lartë punonjësish të policisë së shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese
4.Shoqëruar në të njëjtën kohë me vazhdimësinë dhe me ushtrimin e suksesshëm të aktivitetit kriminal të trafikimit të narkotikëve nga i pandehuri në procedim të lidhur, zoti Moisi Habilaj e të tjerë, në kuadrin e organizimit kriminal që merren me këtë veprimtari.
5.Gjykata ka konstatuar dhe mban në vëmendje shkallën e lartë të përhapjes së aktiviteteve të paligjshme, mbështetëse, furnizuese me lëndë të parë të trafikut të narkotikëve, gjë që në vlerësimin e gjykatës krijon lidhjen e drejtpërdrejtë të mosveprimeve në mënyrë të paligjshme të autoriteteve shtetërore dhe pasojës kriminale të ardhur.
6.Gjykata ka konkluduar se nuk janë marrë masat e duhura për të vënë në eficencë të plotë strukturën më të lartë drejtuese të drejtorisë vendore të Policisë Vlorë për parandalimin dhe zbulimin e këtyre veprave penale, të evidentuar në kundërshtim me ligjin.
7.Gjykata ka konkluduar sei pandehuri, zoti Saimir Tahiri provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se ka përfituar nga zoti Moisi Habilaj dhe zoti Artan Habilaj shërbime dhe përfitime të padrejta dhe se njëkohësisht shpërdorimi i detyrës ka dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit.
8.Për rrjedhojë, zoti Saimir Tahiri ka konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Për të pandehurin z.Saimir Tahiri gjykata ka konkluduar se në zbatim të nenit 59 të kodit penal është i pabazuar në ligj e në prova në çështjen konkrete. 1) Duke patur parasysh pozitën dhe pozicionin kushtetues dhe ligjor të pandehurit z.Saimir Tahiri përgjatë kohës së kryerjes së veprës penale, 2) masën e cënimit të interesave shtetërorë si pasojë e cënimit të veprës penale 3) shtrirjen në kohë dhe hapësirë të veprës penale 4) rrezikshmërinë e të pandehurit dhe veprës.
Konkluzionet për të pandehurin Jaeld Çela gjykata konkludoi se në ngarkim të pandehurit rezultojnë të provuara këto fakte:
1) Është ekzekutuar episodi i trafikimit të lëndës narkotike prej 880 kg kanabis sativa me peshkarexhën “Fatima” në datën 5-6 Maj 2015 ku ka pasur një përfshirje të lartë të punonjësve të policisë vendore dhe funksionarë shtetërorë të cilët kanë bashkëpunuar me të pandehurit me procedim, ku në fund kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që merrej me këtë veprimtari.
2) Është evidentuar një shkallë mjaft e lartë e kultivimit të kanabis sativa në territorin e drejtorisë së Policisë Vlorë, aktivitete këto të paligjshme furnizuese të drejtpërdrejta me trafikimin e lëndëve narkotike.
3) Gjykata konstaton se këto fakte janë shoqëruar në të njëtjën periudhë me mbajtjen e lidhjeve me të pandehurin, personat e përfshirë në këto veprimtari si dhe mosmarrjen e masave të duhura për të parandaluar dhe zbuluar këto vepra penale në kundërshtim me ligjin.
4) Gjykata konkludoi se i pandehuri z.Jaeld Çela ka konsumuar elemente të veprës penale, shpërdorim të detyrës sipas nenit 248 të Kodit Penal.
5) Lidhur me llojin e masave të dënimit të pandehurit z.Jaeld Çela Gjykata e Apelit e konsideron të bazuar në ligj dhe në prova dënimin e individualizuar nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Argumentet më të detajuara do jepen brenda afatit ligjor.
Menjëherë pas dënimit, Tahiri ka pasur edhe një komunikim të shkurtër me gazetarët.
Gazetarja e Klan News Glidona Daci raportoi se Tahiri ka thënë se do të presë ekzekutimin e vendimit. “Nuk kam çfarë të them, foli drejtësia”, kanë qenë fjalët e tij të fundit me gazetarët sipas gazetares.
“Pak minuta përpara se të bëhej e mundur ekzekutimi dhe ne të kishim mundësinë për të dalë jashtë, zoti Tahiri tha që do të presë ekzekutimin e vendimit të gjykatës dhe do të qëndrojë në qeli. “Nuk kam çfarë të them” dhe “foli drejtësia”. Këto janë fjalët e tij të fundit që pati dhe komunikimin edhe me gazetarët. Tashmë Saimir Tahiri po qëndron në ambientet e brendshme në pritje të zbatimit të vendimit”, raportoi gazetarja Daci.
Saimir Tahiri reagon pas vendimit për burg: Është thjesht padrejtësi
Ish-ministri Saimir Tahiri pas dënimit me 3.4 vite burg ka reaguar për herë të parë në rrjete sociale.
Saimir Tahiri: Ju dua shumë të gjithëve! Më vjen keq që shkoi kështu. Jam moralisht i qetë, nuk kam shkelur kurrë ligjin, kam dashuruar çdo ditë të punës sime, jam i lumtur që kam bërë detyrën siç më mirë munda. Është thjesht padrejtësi!
Ambasadorja Yuri Kim reagon pas dënimit të Saimir Tahirit: Jo më pandëshkueshmëri
Ambasadorja amerikane,Yuri Kim, ka reaguar pas vendimit për dënimin me burg të Saimir Tahirit.
“I bëjmë thirrje institucioneve gjyqësore që të vazhdojnë të demonstrojnë se askush – pavarësisht partisë, pozitës apo pasurisë – nuk është mbi ligjin. Jo më pandëshkueshmëri”, shkruan Kim.
We urge judicial institutions to continue to demonstrate that no one – regardless of party, position, or wealth – is above the law. No more impunity.
— Ambassador Yuri Kim (@USAmbAlbania) February 4, 2022
Dënimi i Saimir Tahirit, reagon Basha
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të Apelit të Gjykatës së Posaçme për dënimin e ish-ministrit Saimir Tahiri.
Lulzim Basha: Vendimi i sotëm për Saimir Tahirin, dëshmon sa të vërteta kanë qenë akuzat e PD për përfshirjen e ish ministrit të Brendshëm në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Faktet e përfshirjes së tij në një grup të struktuar kriminal, janë dëshmi e qartë se në krye të bandës është Edi Rama, njeriu që e emëroi, mbrojti dhe përdori çdo mekanizëm për të zvarritur dënimin e vartësit të tij. Saimir Tahiri dhe Lefter Koka janë vetëm dy nga hallkat e zinxhirit të krimit dhe korrupsionit që ka për autor dhe zbatues Edi Ramën!
Flet avokati i Saimir Tahirit: Vendim skandaloz për të njollosur Saimir Tahirin
Avokati i Saimir Tahirit, Maks Haxhia ka dhënë një prononcim për mediat pas dënimit të ish-ministrit. Haxhia tha se ky vendim është skandaloz dhe për të njollosur Tahirin.
Dua të them diçka se lidhur me këtë vendim pavarësisht se jam avokat dhe gjithkush mund të thotë që ta kërkon pozicioni për ta thënë, por ishte një vendim skandaloz. Në këtë vend dihen dy gjëra që janë të sigurta, liria dhe vdekja. Në qoftë se dënimi i Saimir Tahirit do të kënaqë dhe përmbush të gjithë atë shqetësim dhe pritshmëria që kishte opinioni shqiptar le të quhet i përmbushur. Di të them këtë që kjo gjykatë bëri atë që s’mund të bëhet nga pikëpamja juridike sepse në thelb la vendimin e Shkallës së parë, por bëri ndryshimin duke i hequr pezullimin nenit 59. Sa për sqarim neni 59 nuk ka të bëjë me dënimin por është një formë e vuajtjes së dënimit dhe aplikimi i gjëje të tillë është një hakmarrje, një kënaqje e epërsisë dhe pozicionit të një pushteti gjyqësor të pashpjegueshëm. Kur flas për kënaqje them për misionin që ka marrë përsipër drejtësia për të realizuar, aq më tepër që shpërdorimi i detyrës nuk është në juridiksionin dhe kompetencën e kësaj gjykate, pra edhe pse për shkak të procedurës që na la në fuqi vendimi për pafajësinë për veprën penale të trafikimit, kryerjen e veprës penale nga grupi i strukturave, pjesëmarrjen në grup të strukturuar, vendosja në planin e deklarimit fajtor dhe denimit me 3 vjet e 4 muaj përfundimisht në bazë të aplikimit të dispozitave mbi gjykimin e shkurtuar ishte e papritur. Jo në aspektin se na çuditi, por ishte no sens juridik që të hiqej pezullimi sepse pezullimi ka te tjera kritere edhe kur jepet edhe kur hiqet, kështu që nuk e dimë se si do ta justifikoj Gjykata një veprim të tillë, pra një vendim ku hiqet pezullimi gjëq ë do të thotë që ky vendim për mua ishte një vendim për të kënaqur. Edhe po ju them që paramendii në këtë mendim ka të bëjë me faktin që pavarsisht se ne na bënë optimist në hidhërimin tonë, është sepse gjykata dhe ata që inciuan këto procese i tremben pafajësisë në Gjykatën e Lartë dhe realizuar njollosjen e Saimit Tahirit duke aplikuar në heqjen e nenit 59. Duke parë këtë vendim të pajustifikuar nga pikëpamja e shkaqeve dhe pse duhet të hiqet aplikimi i nenit 59 i ka të gjitha përgjigjet brenda. Sot Saimir Tahiri siç e patë i kishte të gjitha mundësitë që dhe të mos vinte, përkundrazi pati dhe njerëz që i thoshin që ik mos u paraqit por ai insistoi që unë do të jem në dispozicion të drejtësisë dhe e tregoi këto 5 vjet që ka qenë në dispozicion të drejtësisë. Ai sot do të shkojë në Drejtorinë e Policisë dhe prej aty pastaj do të sistemohet. Rekursin presim vendimin e arsyetuar, natyrisht që jam i sigurt që vendimi do të vonohet megjithatë ne do të përgatisim me aq sa dëgjuam aty dhe argumentat.
Situata të jashtëzakonshme zgjidhen me mjete të jashtëzakonshme. Unë ju garantoj që ky vendim ishte një vendim për të njollosur Zotin Tahirin. Vendimin e priti krejt qetësisht, nuk është se ne përpara nuk i kemi diskutuar të gjitha variantet e mundshme dhe ky ishte një nga variantet e mundshme gjithmonë me idenë që parashikonim se si mund të njollosej figura e Saimir Tahirit.
Kjo mungesa e seriozitetit të trupit gjykues të paktën duhet të dilte dhe të thoshte shtyhet vendimi në një orë të caktuar. Kjo tregon edhe një herë që drejtësia që nuk ka qëllimin shumëplanësh të trajtimit njerëzor, por ka marrë supermaci edhe nën atë presion që ajo është ndodhur vazhdimisht në kuadrin e një reforme. Në qoftë se kjo është reforma që të luftohet korrupsioni duke futur në burg Saimir Tahirin atëherë unë mund të them edhe me sarkazëm si të doni merreni që të gjithë pushtetarët duhet të vishen trashë në kohë dimri.
Ku do të dërgohet mbrëmjen e sotme Saimir Tahiri
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg nga Apeli i Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Avokati i tij bëri të ditur për mediat se çfarë do të ndodhë me Tahirin pas dënimit. Ai u shpreh se Tahiri do të dërgohet mbrëmjen e sotme në Drejtorinë e Policisë dhe nga aty do të sistemohet në burg.
“Sot Saimir Tahiri i kishte mundësitë që edhe të mos vinte, pati edhe njerëz që i thonin ik, mos u paraqit por insistoi që do të jetë në dispozicion të drejtësisë. Sot do të shkojë në Drejtorinë e Policisë dhe nga aty pastaj do të sistemohet”, tha avokati Maks Haxhia.
Avokati zbuloi edhe se çfarë i ka thënë Tahiri pas dënimit.
“E vetmja porosi ishte që të më qetësonte mua sepse më pa që isha tepër i tronditur”, tha Haxhia.
Sipas vendimit, Saimir Tahiri duhet që ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme.
Avokati i Jaeld Çelës: Standardi i vendimit, shumë i dobët dhe i pabazuar në prova
Avokati mbrojtës i Jaeld Çelës, Gentian Romani, ka folur për mediat pasi Gjykata la në fuqi dënimin e klientit të tij. Romani tha se vendimi ka qenë shumë i dobët dhe i pabazuar në prova.
“Sot që kjo çështje përfundoi, unë dua t’i them:
E para, është standardi jashtëzakonisht shumë i ulët i provueshmërisë për sa i përket kësaj çështjeje për shtetin shqiptar, për gjyqësorin shqiptar nuk është më e rëndësishme 17 vite karrierë të një oficeri me suksese nën lëkurën e tij, por janë të rëndësishme vetëm 2 telefonata, pa përmbajtje dhe në skajet e vitit2016 të cilat sot e bëjnë fajtor Jaeld Çelën.
E dyta, nuk janë më të rëndësishme për prokurorinë dhe gjykatën e posaçme që në vitin 2016 janë asgjësuar 220 mijë bimë nga ana e drejtorisë vendore të policisë Vlorë, kur drejtohej nga Jaeld Çela. Përkundrazi, janë të rëndësishme vetëm dy telefonata ku vërtetojnë për gjykatën dhe prokurorinë mbajtjen e lidhjeve të qëndrueshme me eksponentë të grupit të strukturuar kriminal. Ato telefonata, për më tepër që njëra ka qenë telefonatë dhe tjetra ka qenë SMS, pa përgjigje dhe kjo, dhe pa përmbajtje, nënkuptojnë sot për gjykatën, që çdo person i rrezikuar nga një lloj komunikimi i këtillë, mjafton që çdokush t’i drejtojë një SMS çdo prokurori apo çdo gjyqtari dhe automatikisht ai do të ketë dyshimin e arsyeshëm që po bashkëpunon në vepra apo me grupe të ndryshme të strukturuara kriminale.
Nuk duhet të jetë ky standardi i prodhimit, në mënyrë absolute gjykata duhet të ketë parasysh gjithë veprimtarinë e zhvilluar nga drejtoria vendore e policisë Vlorë, të gjitha të faktuara në dosjen gjyqësore. Asnjëherë një oficer karriere si Jaeld Çela nuk ka tentuar dhe është e paprovuar absolutisht nga ana e prokurorisë dhe sot e vendosur nga ana e gjykatës që të ketë patur kontakte me eksponentë të këtij grupi të organizuar kriminal. Përkundrazi, Jaeld Çela në vitin 2016 ka qenë ai që i ka kallëzuar pranë prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Moisi Habilajn dhe Florian Habilajn. Standardi i këtij hetimi dhe standardi i këtij vendimi gjykimi është shumë i dobët, i pabazuar në prova. Ajo çfarë mund të them me bindjen time personale të bazuar në çfarë kam lexuar në atë dosje, që atje nuk ka asnjë provë dhe vendimi i sotëm vë në rrezik gjithë drejtësinë”, tha avokati.
Saimir Tahiri dërgohet në burgun 313
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, është dërguar në burgun 313 në Tiranë. Gazetarja Glidona Daci ka mësuar se ish-ministri i Brendshëm është sistemuar në godinën nr. 2.
Tahiri u dënua me 3.4 vjet burg nga Apeli i Gjykatës së Posaçme për shpërdorim detyre.
Tahiri do ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Ish-ministri ka të drejtën e rekursit në Gjykatën e Lartë 45 ditë nga dhënia e këtij vendimi./tvklan.al