Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë dalë sot para trupit gjykues. Pas pushimeve dimërore, Dhomat e Specializuara kanë nisur me dëgjimin e dëshmitarëve. Kujtojmë se gjatë vitit 2024, u zhvilluan gjithsej 107 seanca gjyqësore.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi gjenden në paraburgim në Hagë që prej Nëntorit të vitit 2020, kur u është konfirmuar aktakuza ndaj tyre. Që të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës, ish-krerët e UÇK-së dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis Marsit të vitit 1998 dhe Shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga Janari i vitit 1998 deri në Dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty./tvklan.al