Performanca e mirë në fushën e lojës ka marrë edhe shpërblimin e merituar. Futbollistë të kombëtares shqiptare janë përzgjedhur në formacionin më të mirë të javës në kampionatet respektive. Nedim Bajrami, hero për Sassuolo në atë barazim 2-2 në transfertën e Salernitana bën pjesë në 11 ideale të javës së 31 të Serie A.

Mesfushori shënoi dhe asistoi në këtë sfidë për tu vlerësuar me notën 8.5. 25-vjeçari formon repartin më të avancuar të mesit të fushës, së bashku me Çahanollu, Çukueze dhe Auxhelio.

Me gol dhe asist shkëlqeu edhe Odise Roshi. Forma e fierakut u shpërblyer nga sofascore që e ka përfshirë në formacionin më të mirë të javës së 29-të në Ligën e parë turke. Roshi pozicionohet në krahun e djathtë të sulmit me një skemë 3-4-3. 31-vjeçari u vlerësua me notën 8.6 në këtë takim, për të qenë lojtari i dytë më i mirë i javës.

Me këtë performancë, ai shpreson që të garantojë një ftesë nga trajneri Sylvinho për në kampionatin Europian të kësaj vere.

Nuk arriti të shënojë, duke shpërdoruar edhe një penallti, por Arbnor Muçolli është lojtari më i vlerësuar në superligën suedeze. Sulmuesi meritoi notën 9.4 pasi ishte kërcënimi kryesor për rivalët në atë humbje 1-0 të regjistruar nga Goteborg. Muçolli u përpoq me të gjitha mënyrat për të shmangur këtë disfatë të skuadrës së tij, por fati dhe portieri bënë të pavlefshëm tentativat e tij.

Klan News