Thatësira dhe temperaturat e larta kanë nxitur përhapjen e zjarreve në Greqi.
Zjarret përfshinë ishujt lindorë të Egjeut, Kios dhe Kos ku mbetën të plagosur pesë persona. Shërbimet e urgjencës lëshuan urdhra evakuimi në zonën Metohi të Kiosit perëndimor. Më shumë se 140 zjarrfikës, së bashku me tetë ekipe zjarrfikësh të specializuar për zjarret, shtatë avionë tre helikopterë u vendosën në dispozicon.
Ndërsa zjarri arriti në fshatin bregdetar të Kardamaina gjatë natës, njerëzit u strehuan në një qendër sportive dhe vende të tjera. Më shumë se 100 zjarrfikës, të ndihmuar nga një helikopter janë vendosur në dispozicon për të shuar flakët.
Dhjetëra zjarre u regjistruan në të gjithë Greqinë, duke përfshirë edhe zonën pranë kryeqytetit, Athinë, gjatë fundjavës. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis paralajmëroi për një verë të rrezikshme me zjarre pas një thatësire të zgjatur.
“Është një verë që pritet të jetë veçanërisht e rrezikshme, kohë më të vështira janë para nesh. Kemi pasur një qershor shumë të vështirë për sa u përket kushteve të motit, me thatësira të mëdha dhe me erëra jashtëzakonisht të fuqishme për sezonin”, tha Mitsotakis duke iu drejtuar kabinetit të tij.
Pas zjarreve vdekjeprurëse e verës së kaluar dhe pas dimrit më të ngrohtë në histori, Greqia ka rritur përgatitjet për këtë vit, duke punësuar më shumë staf. Vitin e kaluar, zjarret në pyje detyruan rreth 19.000 njerëz të largoheshin nga ishulli i Rodosit dhe shkaktuan vdekjen e rreth 20 personave në veri të vendit.
Po ashtu në fillim të këtij viti, qeveria greke vendosi ligje më të ashpra për zjarrvënie të qëllimshme ku autorët përballen me 20 vjet burg dhe gjoba deri në 200,000 euro.
Klan News