Zbulimi në zonën e Leskovikut, pranë kufirit me Greqinë i liqenit më të madh termal nëntokësor në botë ka marrë menjëherë vëmendjen e agjencive të lajmeve.

Revista “National Geographic” në gjuhën çeke i ka kushtuar faqen e parë këtij zbulimi nëpërmjet rrëfimit të speleologut Marek Audy, i cili ishte i pari që pikasi avullin që dilte nga shkëmbinjtë në zonë të paeksloruar më parë.

Ai thotë se pati menjëherë indice për ekzistencën e një sistemi të fshehur të shpellave termike në rajonin e Vromonerit apo i njohur si Sarandapori.

“Ne nuk ishim njerëzit e parë brenda, por kisha një ndjenjë të fortë se kjo shpellë ishte unike. I kisha premtuar gruas një përvojë të ngrohtë burimi termal dhe temperatura e ujit ishte vetëm 26°C. Megjithatë, me akrepat, merimangat, nxehtësinë dhe erën e keqe të squfurit nuk do ta quaja saktësisht një shpellë romantike“, tha Audy.

Ekipi duhej të zbriste 127 metra nën tokë për të arritur në liqen, duke e bërë atë një nga gjetjet gjeologjike më të jashtëzakonshme në vitet e fundit. Ai shtrihej në 138.3 metra gjatësi dhe 42 metra në gjerësi. Liqeni mban rreth 8 335 metra kub ujë termal të pasur me minerale.

Kur hymë për herë të parë në atë shpellë dhe pamë liqenin, u mahnitëm. Ishte si të hynim në një botë tjetër”, tha speleologu.

Zbulimi është përshëndetur nga ekspertët si një moment historik shkencor. Ekipi i specialistëve çekë pritet të rikthehet në muajin Mars në këtë zonë për të bërë një tjetër ekspeditë në zonë.

Ky zbulim i rrallë pritet të ketë ndikim edhe në forcimin e mbrojtjes së zonës që është pjesë e Parkut Kombëtar të Vjosës.

Tv Klan