Banorët në Groenlandë do të hedhin votat e tyre në zgjedhje që mund të rezultojë të jetë nga më të rëndësishmet në historinë e ishullit Arktik.

Mes kërcënimeve të përsëritura të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të marrë nën kontroll Groenlandën, votuesit do të zgjedhin 31 anëtarë të legjislaturës së saj siç bëjnë çdo katër vjet. Qeveria daneze ka thënë se ishulli duhet të vendosë për të ardhmen e tij dhe nuk është në shitje.

Këtë herë, ishulli më i madh në botë, do të vendosë nëse duhet të mbetet pjesë e Danimarkës, të kërkojë pavarësinë ose të krijojë lidhje më të ngushta me fuqitë e mëdha si SHBA-ja dhe Evropa.

“Shpresoj që Groenlanda të dalë më shumë në tablonë botërore. Tani për tani është thjesht e varur nga Danimarka dhe paratë që po marrim prej andej. Ne mund të jemi më të pavarur ekonomikisht”, tha një banor i Groenlandës.

Postera për kandidatët që konkurrojnë në zgjedhjet e Groenlandës mund të shihen në rrugët e kryeqytetit Nuuk disa ditë përpara votimit të planifikuar të zhvillohet më 11 Mars.

Liv Aurora Jensen, e cila kandidon në këto zgjedhje shprehet se ekonomia është një çështje kyçe në zgjedhje.

“Ekonomia është shumë, shumë e rëndësishme këtu në Groenlandë, sepse pa ekonomi nuk kemi pavarësi. Ne duhet të hapim më shumë biznese dhe duhet të bashkëpunojmë me kompani të tjera dhe vende të tjera sepse pa ekonomi nuk kemi asnjë siguri sociale, nuk kemi asnjë spital që mund të kujdeset për ne”, u shpreh kandidatja e “Inuit Ataqatihiit” Aurora Jensen.

Aktualisht, partia me më shumë vende është Inuit Ataqatigiit, ose “Komuniteti i Popullit”, së bashku me partnerin e saj të koalicionit Siumut, ose “Përpara”. Të dyja partitë janë pro pavarësisë dhe janë zotuar të mbajën një referendum për ndarjen e ishullit nga Danimarka, pa specifikuar se kur do të jetë ai votim.

Sipas një marrëveshjeje të vitit 2009 me Danimarkën, Groenlanda mund të shpallë ligjërisht pavarësinë por vetëm pasi të ketë mbajtur një referendum. Mbi 2 milionë kilometra katrorë të Groenlandës janë të mbushura me burime të mëdha natyrore, të pashfrytëzuara, duke përfshirë tokat e rralla shumë të lakmuara ndërsa ka një popullsi prej më pak se 60,000 njerëz.

Kjo e bën Groenlandën të pambrojtur ndaj kërcënimeve dhe jo vetëm nga Trump, i cili e ka cilësuar blerjen e ishullit një “domosdoshmëri absolute”. Trump tha javën e kaluar se SHBA do ta marrë atë “në një mënyrë ose në tjetrën“, ndërsa përmendi kërcënimet nga Kina dhe Rusia, të cilat të dyja i kanë kthyer sytë nga ishulli.

Sondazhet tregojnë se shumica e njerëzve të Groenlandës kundërshtojnë bashkimin me Shtetet e Bashkuara, megjithëse shumica favorizon pavarësinë nga Danimarka.

Klan News