Presidenti i përkohshëm sirian Ahmed Sharaa distancohet nga masakrat e kryera ditët e fundit ndaj komunitetit alavit në veriperëndim të vendit. Në një fjalim të transmetuar në mediat shtetërore, Al Sharaa paralajmëron se pergjegjësit do të marrin dënimin e merituar, ndërsa tha se ka nisur një hetim për kapërcim të përgjegjësive nga trupat e tij, ish-rebelë që tashmë janë përfshirë në ushtrisë e Sirisë.
Mbi 1 mijë persona janë vrarë që prej të Enjtes, kur forcat qeveritare siriane hynë në Lataki, Tartus e zonat përreth, në një operacion për të detyruar të çarmatosen ish-ushtarakët besnikë të ish-presidentit Bashar al-Assad. Ata i kanë shndërruar këto qytete në bastione, pas rënies së regjimit, duke qenë se në këto zona ka përqëndrim të madh të komunitetit alavit të cilit i përket edhe familja Assad.
Njerëz të armatosur masakruan dhe vranë edhe civilë alavitë në banesat e tyre, gjatë betejave me besnikët e Assadit, çka është konsideruar e papranueshme edhe nga qeveria tranzitore siriane.
Në media dhe rrjetet sociale janë hedhur dyshime se masakrat janë kryer nga pjesëtarë të një grupi militantësh të armatosur sunit, aleatë të qeverisë tranzitore që gjatë “Pranverës arabe” janë mbështetur nga Turqia për të mposhtur rebelët kurdë në veri të Sirisë, por Ankaraja deri më tani nuk ka patur asnjë reagim për trazirat.
Tv Klan