Transporti ajror në Gjermani është paralizuar për shkak të grevës që po mbajnë punonjësit e aeroporteve. Ata kërkojnë trajtime financiare më të mira dhe përfitime te tjera si bonuse për punën e tyre dhe me shumë pushime.
Sindikata Verdi po kërkon një marrëveshje për pagat për gati 2.5 milionë punonjës të sektorit publik. Raundi i dytë i bisedimeve për pagat dështoi pasi qeveria federale dhe bashkitë lokale thonë se propozimet e Verdit, duke përfshirë një rritje page prej 8%, bonuse më të larta, shpërblime më të larta për punën në periudha fluksi dhe tre ditë shtesë pushimi, nuk janë financiarisht të zbatueshme.
Më shumë se 510,000 pasagjerë janë prekur nga greva e cila ka përfshirë të paktën 13 aeroporte në Gjermani. Më shumë se 3,400 fluturime anulohen në aeroportet e Frankfurtit, Mynihut, Berlinit, Dyseldorfit, Bon/Këlnit, Sttutgartit, Leipzigut, Bremenit dhe Hamburgut.
Në aeroportin më të madh të Gjermanisë, Frankfurt, llogaritet se afërsisht 150 mijë pasagjerë nuk do të mund të udhëtojnë me fluturimet e tyre të planifikuara.
Mediat gjermane shkruajnë se bisedimet për pagat do të rifillojnë të premten.
Klan News