Mes shumë premtimeve që Donald Trump ka bërë para se të vinte në pushtet është edhe marrja e Groenlandës.
Pak javë para se të merrte detyrën si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Trump nuk përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake apo ekonomike për të marrë kontrollin e Groenlandës.
Por duket se përgjigje Trump-it i ka dhënë vetë kryeministri i këtij shteti. Pasi e ka falënderuar, Mute Egede tha se shteti autonom danez dëshiron ta vendosë vetë të ardhmen e tij dhe nuk dëshiron të bëhet amerikan.
“Jemi groenlandezë. Nuk duam të bëhemi amerikanë. Nuk duam të jemi danezë po ashtu. E ardhmja e Groenlandës do të vendoset nga vetë Groenlanda”, tha ai.
Deklaratat e Trump janë munduar t’i hedhin poshtë edhe diplomatët e Danimarkës, me ministrin e Jashtëm të parin. Lokke Rasmussen tha se ishte i shqetësuar për retorikën e presidentit të ri, kur flet për zgjerimin e territorit të SHBA-së.
Trump ka deklaruar se ka nevojë për Groenlandën për sigurinë ekonominë të SHBA-së. Kujtojmë se rreth 56 mijë persona jetojnë në Groenlandë. Atje ndodhen disa baza ushtarake daneze dhe amerikane. Po ashtu ka një pasuri të konsiderueshme të pashfrytëzuar në minerale dhe karburante.
Groenlanda është shtet autonom, por prej kohësh ka shtyrë drejt një pavarësie. Këtë e pranon edhe vetë Kopenhageni zyrtar i cili është shprehur se, “Groenlanda i takon banorëve të saj dhe janë ata që mund ta përcaktojnë të ardhmen e tyre”.
Nga ana tjetër, SHBA-ja është tregu eksportues më i madh i Danimarkës dhe në 11 muajt e parë të 2024 shitjet arritën shifrat e 326 miliardë krona, ose 45 miliardë dollarëve. Më saktësisht përbëjnë 17.3% të eksporteve të vendit.
Më herët gjatë, Trump tha se do të vendosë tarifa mbi Danimarkën nëse refuzon ofertën e tij për të blerë Groenlandën./tvklan.al