Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, tha këtë të enjte se Rusia po shikon me kujdes situatën, pasi presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, nuk përjashtoi mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake për të marrë Groenlandën nga Danimarka.
Peskov tha se Arktiku është në “sferën e interesave strategjike dhe kombëtare të Rusisë dhe se duan paqe e stabilitet atje”. Deklarata e Trump mbi Groenlandën, një territor autonom i Danimarkës, ka nxitur paralajmërimin e udhëheqësve europianë. Shefja e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas, theksoi se duhet respektuar sovraniteti dhe integriteti territorial i Groenlandës. Kancelari gjerman, Olaf Scholz bëri të qartë se “kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë”.
Trump tha gjatë kësaj jave se SHBA ka nevojë për Groenlandën dhe Kanalin e Panamasë për “sigurinë e saj ekonomike”. Ai nuk përjashtoi mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake apo ekonomike në marrjen e tyre. Sa i përket Kanadasë u shpreh se kufiri me të është një “vijë artificiale”. Danimarka dhe Kanadaja nga ana tjetër janë aleate të ngushta të SHBA-së në NATO.
Zëdhënësi rus, Peskov, tha se pretendimet e Trump janë çështje e Shteteve të Bashkuara, Danimarkës dhe vendeve të tjera. Mirëpo sipas tij, Rusia po shikon “situatën dramatike” që shoqëron deklaratat e tij.
“Ne jemi të pranishëm në Arktik dhe do të vazhdojmë të jemi”, theksoi ai.
Sekretari në largim i Shtetit, Antony Blinken, u mundua që të shuante shqetësimet që ka ngritur Trump. “Ideja është, qartësisht, jo e mirë, por ajo që është më e rëndësishme është që nuk ka për të ndodhur”, tha ai gjatë një vizite në Paris.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, po ashtu kundërshtoi komentet e Trump, por pohon faktin se retorika e presidentit të ardhshëm të SHBA-së, që është shpeshherë e paparashikueshme, mund të jetë destabilizuese.
Rreth 56 mijë persona jetojnë në Groenlandë. Ky vend mbart baza ushtarake daneze dhe amerikane. Po ashtu ka një pasuri të konsiderueshme të pashfrytëzuar në minerale dhe karburante. Kryeministri i Groenlandës Mude Egede ka nxitur për pavarësi, ndonëse ekonomia e vendit varet shumë nga subvencionet daneze.
Ai vetë, por edhe udhëheqësit danezë kanë nënvizuar se Groenlanda nuk është për shitje dhe se e ardhmja e vendit është në duart e qytetarëve të saj. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, tha se Kopenhageni ka një interes të qartë që t’i sigurojë SHBA-së, “aleates së saj më të ngushtë”, që të luajë një rol kyç në një kohë kur në Atlantikun e Veriut po rriten tensionet, duke përfshirë Rusinë.
Në mes të një krize politike të madhe të huaj, ajo ka thirrur në një takim partitë politike sot. Komisioni Europian tha se kërcënimi i Trump për Groenlandën ishte “ekstremisht teorik” dhe “hipotetik” duke qenë se nuk e ka marrë detyrën. Sidoqoftë ka konfirmuar se Groenlanda, si një territor jashtë shtetit, është nën një klauzolë të ndihmës reciproke që kërkon që të gjitha shtetet e BE-së t’i vijnë në ndihmë në rast sulmi.
Kjo përgjigje e KE-së është pritur me përqeshje nga ana e Rusisë, të cilën e konsiderojnë si “shumë të heshtur, gati një psherëtimë”.
Javën e kaluar, udhëheqësi i Groenlandës tha se territori i saj duhet ta lirojë veten nga “zinxhirët e kolonializmit”, por nuk përmendi Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ish-ministri i Jashtëm i Groenlandës, Pele Broberg, i cili tashmë është kreu i partisë më të madhe opozitare tha se shumica e banorëve besojnë se SHBA-ja është kyçe për mbrojtjen dhe sigurinë e tyre. Ai ka bërë thirrje për një marrëveshje të lirë me SHBA që të mbulojë tregtinë dhe mbrojtjen. Kjo sipas tij do i japë Groenlandës pavarësinë, por i dorëzon SHBA-së përgjegjësinë për sigurinë.
Nga ana tjetër aleatët e Trump kanë forcuar pikëpamjet e tij mbi Groenlandën.
Keith Kellogg, i zgjedhur i Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, shprehet se deklarata e presidentit të zgjedhur mbi Groenlandën ka logjikë pasi “e vendos SHBA-në në një pozicion të udhëheqjes botërore”.
Kongresmeni republikan, Mike Walz, tha për Fox News se çështja nuk është thjesht për Groenlandën, por për Arktikun. Sipas tij Rusia po përpiqet të marrë kontrollin e rajonit polar ku ndodhen shumë resurse minerale dhe natyrore.
“Danimarka mund të jetë një aleat i shkëlqyer, por nuk mund ta trajtojnë Groenlandën, ku në fakt kanë kontroll operacional, si diçka të parëndësishme. Ndodhet në hemisferën perëndimore”, tha kongresmeni.
SHBA-ja është tregu eksportues më i madh i Danimarkës dhe në 11 muajt e parë të 2024 shitjet arritën shifrat e 326 miliardë krona, ose 45 miliardë dollarëve. Më saktësisht përbëjnë 17.3% të eksporteve të vendit. Më herët gjatë kësaj jave, Trump tha se do të vendosë tarifa mbi Danimarkën nëse refuzon ofertën e tij për të blerë Groenlandën./tvklan.al