“Thirri ndërgjegjes, bëje qeverinë ose lësho rrugë”
Pas letrës së Presidentit Thaçi, i cili i kërkoi Albin Kurtit që t’i dorëzojë sa më parë emrin e kryeministrit të ri, një tjetër thirrje ka ardhur në adresë të kreut të Lëvizjes së Vetëvendosjes. Ka qenë Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ai që në një intervistë për agjencinë kosovare të lajmeve “Ekonomia online” ka porositur Kurtin, t’i thërrasë ndërgjegjes dhe të gjejë formulën për qeverinë e re, në të kundërt i kujton kreut të Vetëvendosjes të hapë rrugë për opsione të tjera.
“Unë pres nga z. Kurti që t’i thërrasë ndërgjegjes së vet. Ose ta gjejë formulën me bë shumicën, në këtë rast me LDK-në, sepse unë s’jam palë e negociatave, ose të hapë rrugë. Të deklaron çka i propozon Kosovës fituesi i zgjedhjeve në këtë rast. Le të deklaron për çka është. A është për një qeveri teknike, a është për një qeveri tjetër, a është për të shkuar në zgjedhje. Por diçka duhet t’i thotë Kosovës nuk mund ta mbajë vjerr”.
Çdo vonesë në formimin e qeverisë sipas Haradinajt mund të ketë pasoja për vendin.
“Nuk po e them këtë me nxënë ngushtë Kurtin, sepse Kosova është e zënë ngushtë. Detyra e qeverisë janë në krizë, shiheni procesin. Unë jam i detyruar t’i them këto për shkak se unë më së miri e di se jam kryeministër në detyrë dhe jam përgjegjës. Është e dëmshme kjo vonesë dhe shkakton dëme serioze në qeverisje dhe në kualitete të tjera të jetës.”
Përgjegjës kryesor për mosformimin e qeverisë sheh vetëm Kurtin.
“Nuk është përgjegjësia te partia e dytë, por në sistem tonin përgjegjësinë me krijua institucione e ka vetëm Albin Kurti dhe VV-ja. Por nuk mundesh ti sot me ju thënë partive. Nuk është duke formuar qeveri LDK-ja, ajo i bashkohet një qeverie. Përgjegjësia bie mbi z. Kurtin, ai duhet të dijë t’i akomodon të gjithë ata me të cilët do me bë shumicën parlamentare.”
Haradinaj komenton edhe çështjen e presidentit, emër ende peng i marrëveshjes mes LVV dhe LDK-së.
“Mua nuk më ka thirr Albin Kurti ose Isa Mustafa me më thënë që a na kishe votuar për president. Nuk mund të shkojmë mysafirë të pa thirrur. Në një rast kur do të ishte në votim presidenti AAK-ja e kishte diskutuar kandidaturën. A ka kandidaturë të vetën apo ndonjë që është më e përafërt. Por ne nuk e kemi temë si AAK fare çështjen e votimit të presidentit sepse nuk jemi të kyçur në këtë proces”.
Kryeministri në largim Ramush Haradinaj mohoi çdo koalicion të mundshëm me PDK-në, në rast se do të shkohej sërish në zgjedhje.
Tv Klan