Tenderi për ndërtimin pritet të hapet në vjeshtë
Punimet për hekurudhën Tiranë-Durrës-Rinas do të nisin në vitin 2020, të njëjtin vit që fillimisht u parashikua se linja do të ishte gati për qytetarët.
Televizioni Klan ka mësuar se tenderi për të zgjedhur kompaninë që të do të bëjë ndërtimin e saj do të hapet në vjeshtë të këtij viti, pas një ndryshimi që Këshilli i Ministrave i bëri marrëveshjes me Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Fondin e Ballkanit Perëndimor, për rialokimin e fondeve.
Data kur u bë dhe thirrja e parë për fazën e parakualifikimit të ofertave ishte 25 Prilli i vitit 2018. Plot 16 muaj nga ajo kohë, BERZH ka publikuar se hapja e garës për fazën e dytë të shpalljes së firmës fituese do të bëhet në mes të këtij viti.
Kjo është hera e dytë që gara për të kryer punimet e linjës hekurudhore shtyhet, ndërsa marrëveshja me donatorët ka ndryshuar disa herë për shkak të rishikimit të kostove të saj.
Në total projekti për ndërtimin e trenit në këtë linjë kap vlerën e 90 milionë eurove, për një linjë 34 kilometra të gjatë, ku në mes të saj do të bëhet edhe degëzimi për në Aeroportin e Tiranës. Treni do të ketë një shpejtësi prej 100 kilometrash në orë, ndërsa çmimi i biletës llogaritet të shkojë në 1.5 euro.
Tv Klan