Lidhur me akuzat e SPAK ndaj kryebashkiakut Veliaj, gazetari Armand Bajrami shprehet se Struktura e Posaçme ngre dyshime se nga prova konkrete provohet se ka transaksione financiare dhe bankare të dyshimta.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Bajrami shprehet se SPAK ngre dyshime se kemi të bëjmë me një skemë fiktive të injektimit të parave në sistemin bankar me qëllim fshehjen e burimit të ligjshëm të tyre. Ai shton se dyshimet e SPAK janë se familjarë të zotit Veliaj kanë siguruar përfitime të paligjshme përmes personave që kanë lidhje direkte me Bashkinë e qytetit.

Armand Bajrami: Ka qenë një reagim që ka ardhur si një kërkesë zyrtare që unë kam kërkuar një reagim referuar atyre që zoti Veliaj pohoi një ditë më herët nga Këshilli Bashkiak. Deri në këte moment nuk ka persona të regjistruar si persona në hetim, vetëm këto katër vepra penale. Patjetër që SPAK në këtë formë konfirmon faktin që këto hetime po bëhen ndaj famijarëve shumë të ngushtë përfshirë edhe zotin Veliaj, por deri tani asnjë anëtarë i familjes së Veliajt nuk është i regjistruar si person i dyshuar apo person nën hetim në regjistrat e SPAK. Në momentin që ata regjistrohen në atë moment fillojnë edhe ecin afatet ligjore që brenda gjashtë muajsh është afati i parë hetimor ku prokuroria duhet të mbyllë hetimin.   

Deri në këto momente nuk ka emra konkret dhe thirrja në SPAK e zonjës Xoxa dhe Erion Veliaj është bërë në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale. Pra të dy janë pyetur si persona që kanë dijeni, por jo si persona që janë nën hetim.

Dyshimet e SPAK janë se thjesht rrethi i ngushtë familjar i zotit Veliaj kanë siguruar përfitime të paligjshme përmes personave që kanë lidhje direkte me Bashkinë e qytetit dhe po ashtu Struktura e Posaçme ngre dyshime se nga prova konkrete ka transaksione financiare, bankare të dyshimta. Fatura të dyshimta dhe të gjitha në funksion të asaj që SPAK ngre dyshime se kemi të bëjmë me një skemë fiktive të injektimit të parave në sistemin bankar me qëllim fshehjen e burimit të ligjshëm të tyre.

/tvklan.al