Prej afro 1 viti Lulzimi endet dyerve të spitaleve, me shpresë kurimin e fëmijëve të tij. Emanueli dhe Endrina vuajnë nga një sëmundje e rrallë e veshkave. Mjekët nuk kanë mundur të përcaktojnë një diagnozë të saktë të sëmundjes. Sipas tyre, të dy fëmijët duhet të bëjnë transplant veshke. Edhe Lulzimi e bashkëshortja e tij, Floreta kanë dalë dhurues të përshtatshëm.
Endrina është në gjendje më të rënduar se i vëllai. Prej shtatorit, 3 herë në javë i duhet të bëj dializën.
Familja jeton në fshatin Shëmrizë në Gramsh. Por, prej gjendjes shëndetësore të fëmijëve, Lulzimi ka qenë i detyruar t’i mbajë të shtruar në spital në QSUT. Me fëmijët brenda rri bashkëshortja e tij, ndërsa Lulzimi prej muajsh qëndron në një stol pranë pediatrisë. Pasi e ka të pamundur të paguajë dhomë hoteli.
Për trajtimin e fëmijëve ka dal donator një shoqatë shqiptare në Itali, të cilët i kanë thënë se do të kujdesen për gjithë procesin e kurimit. Por, tashmë problemi i Lulzimit është pamundësia ekonomike për të shkuar dhe qëndruar atje. Pasi mjekët në Itali kanë thënë se i gjithë trajtimi mund të zgjasë afro 1 vit. Dhe të dy prindërit duhet të jenë atje, në rast nevoje për transplant.