25 Prilli ka qenë prej kohësh një ditë historike në Venecia pasi përkujtohet si dita e Çlirimit të Italisë. Por tanimë, kjo datë do të shënojë sërish historinë pasi në këtë ditë, qyteti piktoresk i Venecias, bëhet i pari në botë që tarifon vizitorët ditorë.

Tarifimi nisi në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm. Tabelat u vendosën jashtë stacionit të trenit dhe pranë një ure hyrëse për këmbësorë që paralajmëronin turistët se duhej të paguanin tarifën e re prej 5 Eurosh përpara se të vizitonin qytetin e Venecias.

Tarifa e hyrjes, e cila kërkohet vetëm për hyrjen në qendrën historike të Venecias, mund të rezervohet në internet dhe do të aplikohet në 29 ditë piku, kryesisht fundjavë, nga kjo e enjte deri më 14 Korrik si pjesë e fazës së provës.

Sipas vendimit, vizitorët mbi 14 vjeç që hyjnë në qytetin e Venecias do të duhet të paguajnë tarifën e vendosur për ditët e përcaktuara nga autoritetet.

Përjashtimet ekzistojnë për vendasit, udhëtarët dhe ata me shtëpi të dyta në qytet, të cilët kanë paguar taksën lokale të pronës, si dhe për turistët që qëndrojnë gjatë natës në qytet dhe ata që marrin pjesë në ngjarje sportive si dhe studentët. Këto kategori do duhet të regjistrohen në internet për të rezervuar udhëtimin e tyre.

Megjithatë, udhëtarëve të tjerë ditorë do t’u kërkohet të blejnë biletën e tyre në internet dhe më pas do të pajisen me një kod QR. Ata që nuk e kanë rezervuar një të tillë, do të mund të blejnë një biletë me ndihmën e punonjësve në Venecia, të cilët do të kryejnë gjithashtu kontrolle të rastësishme në pesë pika kryesore të mbërritjes, përfshirë stacionin e trenit Santa Lucia. Ata pa biletë rrezikojnë gjoba nga 50 deri në 300 Euro.

Këshilli i Venecias tha se 5,500 njerëz kishin rezervuar një biletë për 25 Prill, një festë kombëtare në Itali, duke sjellë 27,500 € në arkat e qytetit në ditën e parë të saj. Edhe pse kryebashkiaku Luigi Brugnaro e ka mohuar se është një nismë fitimprurëse, ai ka premtuar të ulë taksat lokale për banorët nëse skema rezulton e suksesshme./tvklan.al