Një nga qytetet më të vizituara në vend, Gjirokastra tashmë po zbulohet edhe përmes avioturizmit. Vizitorë të huaj po zgjedhin të fluturojnë me avionë të vegjël nga cepi në cep të qytetit të gurtë.
Masimiliano dhe Guerino janë dy turistë italianë, të cilët kanë zgjedhur të fluturojnë me avionin e tyre për të vizituar për disa ditë zonën e Gjirokastrës dhe jugun e vendit. Ata thonë se jo vetëm nga toka, por edhe nga ajri, Gjirokastra është një qytet mjaft i bukur.
Massimiliano Chiani, pilot, operator turistik për avioturizëm: Ne na pëlqen avioturizmi, të zbulojmë vende me avionin tonë. Kemi zgjedhur Gjirokastrën pasi është fantastik, një qytet i mrekullueshëm. Falenderojmë autoritetet që na lejuan të përdornim hapësirën ajrore. Kishim qenë më parë në Gjirokastër pa avion dhe po ashtu na ka pëlqyer shumë.
Përdorimi i aeroportit të Gjirokastrës për fluturime sportive dhe avionë të vegjël u ka dhënë mundësi turistëve të zbulojnë edhe zona të tjera përreth “qytetit të gurtë”.
Massimiliano Chiani, pilot, operator turistik për avioturizëm: Kemi parë nga ajri Porto Palermon, Dhërmiun, Sarandën, Ksamilin, Tepelenën. Janë të gjitha vende shumë të bukura.
Sipas autoriteteve, gjatë këtij viti, qyteti i Gjirokastrës dhe rrethinat janë vizituar nga rreth 200 mijë turistë, pjesa më e madhe e të cilëve janë vizitorë të huaj.
Klan News