Sipas llogaritjeve të IGJEUM, përgjatë datave 23 deri më 26 Janar priten reshje intensive, të cilat do të jenë më të përqendruara në veri dhe në jug të territorit. Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, këto reshje do të sjellin rritje të prurjeve dhe niveleve në Lumenjtë Drin-Buna, Liqenin e Shkodrës dhe Lumin Vjosa.
Në pjesët e sipërme të këtyre baseneve lumorë, mund të ketë vërshime të shpejta të përrenjve dhe lumenjve më të vegjël të shoqëruara edhe me rrëshqitje të dherave, kryesisht në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër.
Lumenjtë e tjerë do kenë rritje të prurjeve por parashikohen me rrezik më të ulët nga përmbytjet. Sot pasdite dhe nesër priten reshje intensive, por lokalisht shumë intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër.
Ndërsa në pjesën tjetër të qarqeve priten reshje mesatare. Reshjet pritet të jenë të shoqëruara dhe me shtrëngata. Në veri dhe verilindje të vendit, sot dhe nesër reshjet priten të jenë edhe në formë dëbore në lartësitë më të mëdha se 500 metra mbi nivelin e detit.
Nesër temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet: 12 / 13 °C; në vendet e ulëta: 10 / 13 °C; në vendet malore: 2 / 7 °C. Sot pasdite dhe nesër era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare./tvklan.al