Në një sipërfaqe të jashtëzakonshme artisti Agron Hoti, po punon pa pushuar kryeveprën e tij, sfiduese për nga madhësia, sepse kjo çfarë shihni këtu, pas katër muajve do të jetë arti figurativ më i madh në botë, me përmasa 7600 m2.

Do të jetë sa një fushë futbolli dhe pas përfundimit, në tapetin e blertë të “Air Albania”, puna kolosale e titulluar “Blue HeArt of Europe” dhe që i kushtohet Vjosës, lumit të fundit të egër në Europë, do të prezantohet për publikun.

“Dua të lidh dy koncepte lirinë time dhe lirinë e Vjosës. Unë e fitova lirinë dhe Vjosa nuk e kishte, por e fitoi lirinë. Besoj se do të ketë një rezultat artistik të admirueshëm. Kjo është pamja finale, elementët e bardhë që shikojmë, do të mbushen me pikturën abstrakte, kam zgjedhur kështu sepse lumi është i paprekshëm dhe e kam lënë të tillë që ta lë rrjedhën e tij në det dhe ta krijojë vetë atë çfarë do të ketë përreth.

3 ton bojë janë parashikuar të hidhen në këtë punim dhe më e veçanta është që çdo kush do të ketë mundësinë të ketë një pjesë të Vjosës në shtëpi, pasi kjo punë do të ndahet në 2500 pjesë.

Lidhja e artistit me sportin është e pandashme, madje zbulon se yje të futbollit Italian do të jenë këtu për inaugurimin.

“E lidh me sportin me shpejtësinë e lëvizjes, do të inaugurohet me një ndeshje futbolli, do bëjnë një ndeshje me legjenda të futbollit shqiptar, italianë mund të jetë Toti, Canvaro, Del Piero, do kemi mundësinë të mbledhin edhe fonde për të ndihmuar shkollë apo një kopsht, siç kam bërë edhe në Romë”.

Karrierën e suksesshme e zhvillon në Itali prej më shumë se dy dekadash, dhe vetëm para dy vitesh ishte Cristiano Ronaldo ai që i bleu një nga punët, por kur vjen puna për të zgjedhur një nga blerësit më të rëndësishëm, ai nuk bën ndasi. Jo vetëm kaq, personazhe të ndryshëm do të kenë mundësinë që së bashku me artistin të hedhin ngjyrat dhe firmat e tyre në telajo duke u bërë pjesë të kësaj krijimtarie artistike.

Tv Klan