GJKKO doli me të paktën një orë vonesë për vendimin për inceneratorin e Fierit këtë të hënë.
Në fund, togat e zeza të kryesuara nga Rudina Palloj dhe anëtarë Elsa Ulliri dhe Erjon Çela kanë vendosur të lenë në fuqi kërkesën e SPAK sa i takon dënimit të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.
Koka u dënua me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar atij i ulet 1/3 e dënimit dhe kjo konvertohet në 6 vite e 8 muaj heqje lirie. Gjithashtu gjykata vendosi dënim plotësues që për 5 vitet e ardhshme të mos ushtrojë asnjë funksion publik.
Nga ana e gjykatës në përfundim të vendimit, u vendos të mbahej e bllokuar vetëm një nga pasuritë e Lefter Kokës, duke liruar të tjerat. Pritet që çështja të kalojë në të gjitha hallkat e drejtësisë, pasi pala mbrojtëse e Kokës ka paralajmëruar ankimim të vendimit.
Sa i takon Alqi Bllakos, për të cilin prokuroria kishte kërkuar dënimin e tij me 7 vite burg u bë një rikualifikim i veprës penale dhe Alqi Bllako u akuzua vetëm për shpërdorim detyre dhe përfundimisht e dënoi me 4 vite. Për shkak të gjykimit të shkurtuar konvertohet në 2 vite e 8 muaj.
Klodian Zoto u dënua me 12 vite burgim, që për shkak të gjykimit të shkurtuar shkon në 8 vite.
Gjykata shpalli fajtor edhe Pëllumb Abeshin për të cilin vendosi dënimin me 3 vite e 6 muaj burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar iu ul në 2 vite e 4 muaj heqje lirie. Gjithashtu gjykata vendosi pezullimin e vendimit për dënimin me burg, dhe dënimin e tij me 4 vite shërbim prove duke urdhëruar lirimin e tij nga qelia.
“Ka qenë në një farë mënyrë i vetmi Lefter Koka dhe Klodian Zoto që nuk ka pasur ndryshim të kërkesës së kërkuar nga SPAK, por kanë mbetur në fuqi po e njëjta kërkesë e SPAK”, raportoi gazetarja Glidona Daci.
Si u dënuan të tjerët?
Florian Muça dhe Azem Shatëri u dënuan me 3 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar kthehet në 2 vite. Ata janë liruar për shkak se koha për të cilën kanë qëndruar në paraburgim është më e lartë se marzhi i dënimit.
Erjon Murataj u dënua me 3 vite burg që për shkak të gjykimit të shkurtuar konvertohet në 2 vite heqje lirie.
Sabina Canameri, Regan Merdani dhe Gentin Ziflan po ashtu u dënuan me 3 vite burgim, por gjykata vendosi që ta konvertojë në shërbim prove për 4 vite.
Loran Dusha dhe Arbër Denizi janë dënuar me 7 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar u konvertohet në 4 vite e 8 muaj.
Tre pafajësi në GJKKO
Gjykata shpalli të pafajshëm Arben Dervishajn për të dyja akuzat e ngritura nga SPAK-u.
“Është i pari që gjykata relatoi pafajësinë”, raportoi gazetarja Glidona Daci.
Arjola Kodra, administratorja e kompanisë “Integrated Energy” që fitoi koncensionin për ndërtimin e inceneratorit mori pafajësi gjithashtu.
Edhe Juri Imeri që ka qenë administrator i një prej kompanive që dyshohej për krim të skemave mashtruese, u shpall i pafajshëm.
Akuzat e SPAK
Rreth 4 milion euro janë abuzuar, nëpërmjet skemave mashturese me faturat fiktive, për inceneratorin e Fierit, sipas Prokurorisë e Posaçme.
SPAK thekson se koncesioni për ndërtimin e inceneratorit të Fierit ka vlerën totale rreth 33 milionë euro. Prokuroria thekson se në bazë të rezultateve të hetimit janë konstatuar disa shkelje ligjore.
Ish-ministri sipas SPAK, përfitoi në mënyrë të parregullt shuma të ndryshme monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë koncesionare.
Gjithashtu nga ana e anëtarëve të Komisionit të Vlersimit të Ofertave nuk kanë respektuar ligjin e prokurimeve.
VENDIMI I GJYKATËS PËR ÇËSHTJEN E INCENERATORIT TË FIERIT
Lefter Koka u dënua me 10 vjet – konvertohet në 6.8 vite heqje lirie për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe 5 vite dënim plotësues për të mos ushtruar funksione publike
Alqi Bllako u dënua me 4 vjet – konvertohet në 2.8 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar
Klodian Zoto u dënua 12 vjet – konvertohet në 8 burg për shkak të gjykimit të shkurtuar
Pëllumb Abeshi u dënua me 3 vite – Për shkak të gjykimit të shkurtuar shkon në 2 vjet heqje lirie, por u konvertua në 4 vite shërbim prove
Florian Muçaj u dënua me 3 vite burg – konvertohet në 2 vjet heqje lire për shkak të gjykimit të shkurtuar, por lirohet pas mbaron dënimi
Azem Shatëri u dënua me 3 vite burg – konvertohet në 2 vjet heqje lire për shkak të gjykimit të shkurtuar, por lirohet pas mbaron dënimi
Erjon Murataj u dënua me 3 vite burg – konvertohet në 2 vjet heqje lirie për shkak të gjykimit të shkurtuar
Sabina Cenameri u dënua me 3 vite – Për shkak të gjykimit të shkurtuar shkon në 2 vjet heqje lirie, por u konvertua në 4 vite shërbim prove
Arben Dervishaj u shpall i pafajshëm
Loran Dusha u dënua me 7 vite burg – konvertohet në 4.8 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar
Arjola Kodra u shpall pafajshme
Arbër Denizi u dënua me 7 vite burg – konvertohet në 4.8 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar
Juri Imeraj u shpall i pafajshëm
Regan Merdani u dënua me 3 vite – Për shkak të gjykimit të shkurtuar shkon në 2 vjet heqje lirie, por u konvertua në 4 vite shërbim prove
Gentian Zifla u dënua me 3 vite – Për shkak të gjykimit të shkurtuar shkon në 2 vjet heqje lirie, por u konvertua në 4 vite shërbim prove./tvklan.al