Iranianët kanë filluar të votojnë të premten herët në balotazhin presidencial, pasi asnjë kandidat nuk ia doli të fitojë mjaftueshëm vota për t’u zgjedhur president i ri në rundin e parë të zgjedhjeve më 28 qershor, kur dalja në zgjedhje shënoi rënie rekorde.

Votimi po mbahet në një kohë kur iranianët po përballen me mungesë të lirisë, me kushte të këqija të jetesës dhe me një ekonomi të dobësuar.

Në këto zgjedhjet, të cilat u thirrën për shkak të vdekjes së Ebrahim Raisit nga rrëzimi i helikopterit muajin e kaluar, iranianët duhet të zgjedhin mes reformistit dhe ligjvënësit veteran, Masud Pezeshkian, dhe ish-negociatorit për çështje bërthamore, konservatorit Saeed Jalili.

Jalili shërben si përfaqësuesi personal i liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei në Këshillin Suprem për Siguri Kombëtare (SNSC). Ai ishte sekretar i këtij këshilli nga viti 2007 deri më 2013, dhe gjatë asaj kohe ai udhëhoqi delegacionin iranian në bisedimet e dështuara me Perëndimin për programin bërthamor të Iranit.

Pezeshkian ka qenë anëtar i Parlamentit iranian prej vitit 2008 dhe shërbeu si nënkryetar mes viteve 2016 dhe 2020, kur reformistët dhe të moderuarit gëzonin shumicën në legjislaturë.

Ai i ka vënë në pikëpyetje metodat e Iranit për zbatimin e detyrueshëm të hixhabit, një shami islamike e kokës për gratë. Pezeshkian ka folur gjithashtu edhe në favor të bisedimeve me Perëndimin.

Megjithatë, ai mbështet parimet e republikës islamike dhe thotë se do t’i ndjekë politikat e Khameneit, nëse zgjidhet president.

Rezultati i zgjedhjeve nuk ka gjasa të sjellë ndryshime të mëdha politike, por mund të ketë ndikim në pasuesin e Khameneit, 85-vjeçarit që është lider suprem i vendit prej vitit 1989.

Në rundin e parë të zgjedhjeve morën pjesë vetëm 39.9 për qind e votuesve, përkundër thirrjeve të Khameneit për dalje të lartë në zgjedhje për ta mbrojtur imazhin e një Irani të fuqishëm, ku populli i tij e mbështet udhëheqësinë politike.

Republika islamike për kohë të gjatë ka ngulur këmbë se ligjshmëria e saj vjen nga pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje, por daljet e ulëta në zgjedhjet e viteve të fundit dhe protestat vdekjeprurëse kundër udhëheqësisë, e kanë sfiduar ligjshmërinë e pushtetit të tanishëm.

Pezeshkian e fitoi rundin e parë me 10.5 milionë vota, ndërsa Jalili doli i dyti me 9.5 milionë vota. Megjithatë, Pezeshkian përfitoi edhe nga ndarja e votës konservatore, sepse kandidati tjetër konservator, Mohammad Baqer Qalibaf i fitoi 3.4 milionë vota dhe thotë se në balotazh e mbështet Jalilin.

Por, nuk ka garanci që votat e Qalibafit do t’i shkojnë Jalilin në balotazh, sepse ata përfaqësojnë dy grupe krejtësisht të ndryshme në kampin e ndarë konservator.

Kampi i Pezeshkianit është munduar t’i bindë votuesit të cilët e bojkotuan rundin e parë të dalin dhe të votojnë në balotazh. Mbështetësit e tij kanë argumentuar se nëse Jalili vjen në pushtet, administrata e tij do të përdorë politika shtypëse dhe do ta izolojë Iranin edhe më shumë.

Mbështetësit e Jalilit e kanë portretizuar Pezeshkianin si një njeri i cili është i butë me Perëndimin dhe do të bëjë që përparimi i Iranit të varet nga marrëdhëniet e mira me vendet e Perëndimit.

Ndërkohë, kundërshtarët i kanë bërë thirrje votuesve ta bojkotojnë balotazhin, duke ngulur këmbë se zgjedhjet në Iran nuk janë as të lira, e as të drejta dhe se zgjedhjet e kaluara kanë dështuar të sjellin ndryshime, meqë pushtetin kryesor e ka Khamenei.

Në Iran, lideri suprem e ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet shtetërore dhe presidenti nuk ka pushtet në shumë çështje të rëndësishme./REL