Një grua që pret të bëhet nënë për herë të parë përjeton gëzimin më të madh në jetë. Për Lilianën, kjo ndjesi nuk qe ndryshe, por ajo që do të ndodhte pas lindjes së djalit ishte thuajse një ‘takim’ me vdekjen.

Ajo ndan me rubrikën “Ka Një  Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan kujtimin e asaj dite. Pasi lindi fëmijën, mjekët harruan t’i hiqnin placentën dhe pas disa orësh, kaloi në gjendje kome. Liliana kujton se çfarë ndodhi gjatë atyre 3 orëve që zgjati gjendja e saj dhe zërin që e riktheu në jetë.

Liliana: Shkova për të lindur. Në momentin kur lindi djali shkoi mirë, linda mirë, pastaj më mbrapa u  sëmura sepse gjatë lindjes po ndërrohej turni kështu që për fat të keq ndodhi diçka që nuk duhet të ndodhte.

Ardit Gjebrea: Ç’domethënë gjatë lindjes po ndërrohej turni?

Liliana: Po ndërrohej turni.

Ardit Gjebrea: Edhe?

Liliana: Ato për momentin harruan placentën brenda dhe u larguan, e harruan, aty ku ishte fëmija. Turni i dytë kur erdhi infermierja, vuri dy duart në kokë dhe tha “po mbaron zonja, po vdes”. Erdhi doktori, erdhën të gjithë, bënë atë që do të bënin dhe më çuan te dhoma pastaj. Atje te dhoma erdhi kunata ime dhe doktori i tha që sonte nuk duhet ta lini vetëm. Erdhi një kushërirë imja atë natë, ndenji me mua dhe për momentin as unë nuk e di, ka qenë ora 10 e darkës, kalova në gjendje kome.

Ardit Gjebrea: Çfarë  ndodh kur kalon njeriu në gjendje kome, të  kujtohet apo s’të kujtohet?

Liliana: Po, më kujtohet si sot Ardit.

Ardit Gjebrea: Po?

Liliana: Isha e veshur me të bardha…

Ardit Gjebrea: E pe veten të veshur me të bardha?

Liliana: Dhe fluturoja, ecja, sipër luleve ku ishin të gjitha ngjyrat.

Ardit Gjebrea: Çfarë thua?

Liliana: Po, dhe e mbaj mend si sot. Ecja dhe ishte rruga pafund. Pas 3 orëve se këtë më tregoi kushërira ime, 3 orë kam ndenjur, vetëm se kam dëgjuar zërin e djalit, një zë fëmije që po qante dhe zëri i atij fëmije ishte djali im. Ai më zgjoi.

Ardit Gjebrea: Ai të ktheu në jetë?

Liliana: Më ktheu në jetë… dhe prandaj kam një lidhje kaq shumë të fortë me Andrean./tvklan.al