Pasditen e kësaj të shtune emisioni “Rudina” në Tv Klan u ndal tek nostalgjia dhe kujtimet, ku secili nga të ftuarit foli për periudhën më të rëndësishme të jetës.

Për poeten, shkrimtaren dhe eksperten e arsimit Adriatike Lami kjo periudhë i ka mundësuar realizmin e një ëndrre. Për të profesioni në arsim dhe pasioni për poezinë e krijimtarinë letrare janë gjërat themelore që kanë plotësuar jetën e përditshmërinë e saj.

“Unë mendoj se kam realizuar një ëndërr. Kam drejtuar në këtë dekadë një nga institucionet arsimore jopublike, nuk është kjo e veçanta. E veçanta është që unë doja të drejtoja një institucion që përfaqësohej nga fëmijët nga mosha 3 vjeç deri në moshën 18 vjeç. Akoma vazhdoj të punoj me këtë pasion, ku konsolidohen bashkë jo vetëm aspekti profesional, por dhe pjesa humane në mënyrë të jashtëzakonshme. Është një profesion, mënyrë apo mundësi, jo vetëm për të zbuluar veten, por për të ndërtuar marrëdhënie njerëzore që ndoshta në asnjë profesion tjetër nuk do i arrije dot. Për këtë që bëjë në përditshmërinë time ndjehem shumë mirë.”

Mes batutash Adriatike Lami tha se në këtë 10-vjeçar jeta e saj ka kaluar “nga ferri në purgator”. Nga vitet e shpejta të sakrificës e lodhjes, tek ato të relaksit, pushimit e meditimit. Në studion e “Rudina” ajo i cilëson këto vite që po kalon si të arta. Vite të cilat i kanë dhënë mundësinë që të shijojë djemtë e rritur me partneret e tyre, por dhe dashurinë e saj të jetës.

“Në këtë fazë të jetës sime më pëlqen që të bëj një kombinim midis gjërave të bukura që bëj, lodhjes dhe çlodhjes. Kam pasur vite që nuk kam pasur kohë që të ulesha dhe të merrja frymë, mbase ka qenë ajo dekada 25-35 vjeç, kurse tani jam në fazën që kam komoditetin për t’i krijuar vetes sime pak hapësirë për t’u çlodhur, për të medituar dhe për të rimenduar. Ky ka qenë 10-vjeçari i artë, besoj se pjesa më e mirë dhe më cilësore e krijmtarisë sime është shkruar në këtë dekadë. Edhe familja ime është ridimensionuar, jam në një fazë që shijoj djemtë e rritur, shoqet e tyre, por dhe dashurinë time. Ndjehem mirë që gjërat kanë kaluar nga ferri në purgator”, përfundoi ajo./tvklan.al