Qetësia prej dy muajsh në Gaza u shua nga sulmet masive izraelite.
Më shumë se 340 palestinezë u vranë, ndërsa shumë rezultojnë të zhdukur nën rrënoja, duke shkatërruar armëpushimin e brishtë 2-mujor me Hamasin. Ushtria izraelite shënjestroi dhjetëra objektiva terroriste të grupit militant.
Sulmi ndodhi në të gjithë Gazën, duke përfshirë Khan Younis dhe Rafah në Gazën jugore, veriun e Gazës dhe zonat qendrore si Deir el-Balah.
Shumë nga të vrarët në sulmet ishin fëmijë, gra si dhe figura të larta të Hamasit. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë lëshuar urdhra të reja evakuimi, duke sugjeruar se sulmet do të vazhdojnë më tej.
I gjithë kufiri i Rripit të Gazës është tani një zonë e kuqe, e rrezikshme dhe njerëzve u thuhet të largohen. Ata duhet të zhvendosen në strehimore në qytetin perëndimor të Gazës dhe Khan Younis.
Hamasi, i cili qeveris Gazën, tha se i konsideronte sulmet e Izraelit si një anulim të njëanshëm të armëpushimit që filloi më 19 Janar.
“Netanyahu dhe qeveria e tij ekstremiste po marrin një vendim për të përmbysur marrëveshjen e armëpushimit, duke i ekspozuar të burgosurit në Gaza ndaj një fati të panjohur”, tha Hamasi në një deklaratë.
Ai u bëri thirrje njerëzve në kombet arabe dhe islamike, të dalin në rrugë për të protestuar kundër sulmit.
Zyra e Kryeministrit izraelit bëri të ditur se ushtria ishte udhëzuar të ndërmerrte “veprim të fortë” kundër Hamasit, pas “refuzimit të grupit për të liruar pengjet dhe refuzimit të propozimeve të marra nga SHBA dhe nga ndërmjetësit”.
“Izraeli do të veprojë nga tani e tutje kundër Hamasit me fuqi ushtarake në rritje”, thuhet në deklaratë.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha në një deklaratë se ata do të vazhdojnë të luftojnë në Gaza për sa kohë që pengjet nuk kthehen dhe nuk arrihen të gjitha qëllimet e luftës.
Katz gjithashtu ka urdhëruar mbylljen e kalimit Rafah nga Gaza në Egjipt për pacientët që largohen nga enklava për trajtim mjekësor jashtë vendit.
Shtëpia e Bardhë tha se ishte konsultuar nga Izraeli për këto sulme të fundit dhe se në vend të një marrëveshjeje të re, Hamasi kishte zgjedhur “refuzimin dhe luftën”.
Hamasi ka këmbëngulur për përfundimin e përhershëm të luftës dhe tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Gaza në përputhje me kushtet e marrëveshjes origjinale të armëpushimit.
Negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit, e cila do të sillte lirimin e gati 60 robërve të mbetur dhe vendosjen e një armëpushimi të përhershëm, kanë përfundurar pa një marrëveshje konkrete për shkak të këmbënguljes së Izraelit që faza e parë të zgjatet deri në mes të Prillit.
Klan News