Tarifat tregtare të përshkallëzuara të Presidentit amerikan Donald Trump pritet të rrisin inflacionin në disa shtete. Sipas parashikimit të bërë nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, Kanadaja dhe Meksika do të kenë ndikimin më të madh në ekonomi, pasi përballen edhe me tarifat më të larta.
Kjo organizatë bën të ditur se perspektiva e rritjes ekonomike për Kanadanë për këtë vit dhe vitin e ardhshëm është ulur ndjeshëm, ndërsa ekonomia e Meksikës pritet të hyjë në recesion.
Ekonomia e Kanadasë parashikohet të rritet me vetëm 0.7% këtë vit dhe në 2026, 2 përqind më shumë. Në Meksikë ekonomia do të tkurret me 1.3%, ndërsa vitin tjetër pritet të ulet edhe 0.6%. Për ekspertët edhe ekonomia amerikane pritet të ketë tkurrje përgjatë 2025.
Trump ka vendosur tarifa 25% për të gjitha importet e çelikut dhe aluminit. Administrata amerikane ka vendosur gjithashtu tarifa 25% për importet e tjera nga Meksika dhe Kanadaja me disa përjashtime dhe një tarifë 20% për mallrat kineze.
Si përgjigje, Kanadaja dhe BE-ja kanë njoftuar të dyja tarifa hakmarrëse. Sipas ekspertëve, barrierat tregtare dhe rritja e pasigurisë gjeopolitike do të godasin investimet dhe konsumatorët.
Javën e kaluar, firma e makinave elektrike e Elon Musk, Tesla, paralajmëroi gjithashtu se ajo dhe eksportuesit e tjerë amerikanë mund të dëmtohen nga beteja tregtare.
Klan News