Kreu i Komisionit Europian u kërkoi shteteve anëtare të Bashkimit Europian të gjejnë gjuhën e përbashkët për t’a bërë Ballkanin Perëndimor, pjesë të unionit.
Thirrjen e bëri gjatë fjalimit të përvitshëm përpara eurodeputetëve për gjendjen e unionit, ku paralajmëroi se rajoni rrezikon të shkëputet nga influenca europiane.
“Europa mund të eksportojë stabilitet, siç kemi bërë me zgjerimet e njëpasnjëshme të unionit. Për mua, ato janë dhe do të mbeten histori suksesi. Por ka ende shumë për të bërë. Duhet të gjejmë një herë e mirë unitetin kur vjen fjala për Ballkanin Perëndimor. Nëse jo, fqinjët tanë më të afërt do të drejtohen nga të tjerët”,
thotë Juncker.
Gjatë një debati me Presidentin Macron në muaji Prill, Juncker paralajmëroi se zbehja e influencës europiane në Ballkanin Perëndimor rrezikon ta kthejë rajonin në konfliktet e përgjakshme të viteve ’90.
Po ashtu edhe zyrtarë të tjerë të Bashkimit Europian e kanë shprehur haptazi rrezikun e rikthimit të influencës ruse. Disa vende antarë janë kundër antarësimit të shpejtë të unionit pasi i druhen rritjes së mbështetjes për grupimet euroskeptike.
Tv Klan