Katër ditë pas shpërthimit në kanalin e Ibër Lepencit në Zubin Potok, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç kanë zhvilluar takime të ndara me shefen  e re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

Çështja e dialogut për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, sulmin në Banjskë dhe shpërthimi i fundit në Zubin Potok raportohet të kenë qenë temat kryesore të takimeve.

“I takova presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti. E vetmja rrugë drejt anëtarësimit në BE është përmes normalizimit të raporteve mes tyre, në bazë të Marrëveshjes së Ohrit. Mirëprita gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar pas sulmit të fundit terrorist. Kryesit duhet të përballen me drejtësinë”

Kryeministri Kurti insiston në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, ndërsa tha të ketë njoftuar kryediplomaten evropiane edhe për hetimet rreth shpërthimit në Zubin Potok derisa ka përsëritur kërkesën për dorëzimin nga serbia të Milan Radoiçiç.

“Nga liderët që ka Evropa sot, besoj se zonja Kallas është në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Ne kemi shpresa të mëdha që Kosova që rajoni i Ballkanit Perëndimor do të përfitojë shumë sa i përket vlerave evropiane, demokratike, mbështetjes ekonomike e financiare dhe paqes dhe sigurisë në përgjithësi”.

E për presidentin e Serbisë, biseda me Kallas duket të ketë qenë e vështirë.

“Një bisedë e hapur dhe e vështirë me Kallas. Përfaqësuesja e  lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë foli për domosdoshmërinë e dialogut me Prishtinën, zgjidhjen e rastit Banjska dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Unë u përgjigja në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë”.

Takimi nuk ishte në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Tv Klan