Për më shumë se tre muaj, studentët e Serbisë kanë zhvilluar protesta masive duke bllokuar rrugë, autostrada e ura në qytetin verior të Novi Sadit pas tragjedisë ku humbën jetën 15 njerëz.
Pasi një tendë u shemb në stacionin hekurudhor në qytetin verior të Novi Sadit në nëntor të vitit të kaluar, fillimisht kishte pak shenja mbështetjeje për protestuesit që fajësonin për fatkeqësinë korrupsionin dhe nepotizmin e qeverisë.
Tre muaj më vonë, demonstratat janë shndërruar në lëvizjen më të madhe në Serbi ndër vite. Studentja e biologjisë Marija Petroviç thotë se tanimë kauza ka fituar shumë mbështetje publike që ka parë mijëra njerëz që protestojnë rregullisht në të gjithë vendin ballkanik.
“Ne nuk menduam se do të fitonim aq shumë mbështetje, por njerëzit filluan të na bashkohen, ne mësuam se si të organizoheshim në fakultetet tona dhe në rrugë”, tha Marija Petroviç studente.
Atyre iu bashkuan dhjetëra mijëra mësues, avokatë dhe punëtorë të tjerë. Studentët shumë të organizuar kanë pushtuar ndërtesat e fakulteteve, bllokuar autostradat dhe sheshet dhe kanë shkaktuar një krizë politike.
Qeveria mohon faktin që të jetë përgjegjëse për katastrofën, si dhe akuzat për ryshfet të votuesve, shtypje të lirisë së medias, dhunë ndaj kundërshtarëve dhe lidhje me krimin e organizuar.
Por kryeministri i Serbisë Milos Vuçeviç dhe ministrat për ndërtimin dhe tregtinë kanë dhënë dorëheqjen për shkak të katastrofës. Kjo nuk ka ndaluar njerëzit që protestojnë.
Kritikët besojnë se korrupsioni në stacionin e trenit në Novi Sad solli mosrespektim të rregulloreve të sigurisë.
“Ne i lëmë mënjanë ideologjitë tona personale, sepse kjo, ajo që po bëjmë këtu, është më e madhe se të gjitha. Ne po përpiqemi të ndërtojmë një vend, po përpiqemi që të funksionojnë institucionet”, tha Marija Petroviç.
Ajo shprehet se ndërsa protestuesit janë përballur me kërcënime dhe sulme fizike, kjo vetëm i ka bërë më të vendosur për të ecur përpara.
“Bashkëmoshatarët tanë kanë marrë kërcënime, studentët janë sulmuar verbalisht dhe fizikisht, janë goditur nga makina. Një sulm ndaj secilit prej nesh është një sulm ndaj të gjithëve ne. Pra, ne nuk kemi frikë”, tha Petroviç.
Studentët kanë fjetur në ndërtesat universitare. Mesazhi i protestës është se qeveria duhet të bëjë punën e saj siç duhet dhe me ndershmëri dhe se demonstratat nuk do të mbarojnë derisa ta bëjë këtë.
Sipas analistëve këmbëngulja e tyre ka krijuar një nga kërcënimet më të mëdha për kontrollin e gjatë të presidentit serb në pushtet. Vuçiç ka akuzuar studentët dhe protestuesit e tjerë se punojnë për shërbimet e huaja të inteligjencës për ta larguar atë nga pushteti.
“Mendoj se mësimi më i rëndësishëm nga kjo, që unë dhe të gjithë kemi mësuar është se zëri ynë ka rëndësi, se ne të gjithë jemi të rëndësishëm dhe se mund të arrijmë diçka të madhe vetëm së bashku. Asnjë individ nuk është më i madh se komuniteti dhe shoqëria. Sot në Serbi duhet të veprojmë si një komunitet”, tha studentja.
Kërkesat e studentëve përfshijnë publikimin e dokumenteve në lidhje me shembjen e çatisë së stacionit trenit; drejtësi për përgjegjësit; rrëzimin e akuzave ndaj studentëve protestues; dhe një buxhet më të madh për arsimin e lartë. Ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç thotë se i ka përmbushur këto kërkesa.
Klan News