Para disa ditësh emisioni “Stop” në Tv Klan tregoi sesi familja Muçllari ka privatizuar një ndërtesë që dikur ka qenë e kooperativës në fshatin Çërravë të Pogradecit. Më vonë ajo u pajis me certifikatë pronësie për 300 m2 truall, por me ndërtimet e viteve të fundit mbeti pa rrugë.
Familjarët pretendojnë se sipas dokumentave kanë rrugë dhe kjo i ka futur në sherr me një familje komshinjsh duke e akuzuar se ka bërë mur të paligjshëm. Familja tjetër thotë se ka dokumenta të rregullta. Ky problem vijonte që prej vitit 2004.
Edhe pse çështja ka vajtur në institucione, asnjë prej tyre nuk e ka zgjidhur dot konfliktin. Pak kohë më parë është ndarë nga jeta kryefamiljari Muçllari, por e çuan të pajetë dorë më dorë në banesën e fundit, për shkak se nuk kishte rrugë ku të kalonte. Në përballjen mes fqinjëve në konflikt, këta të fundit i thellojnë sharjet dhe kërcënimet ndaj njëri-tjetrit duke i hedhur edhe më shumë benzinë zjarrit.
Pas transmetimit të “Stop”, denoncuesja Eliverta Muçllari njofton se problemi i saj u zgjidh. Ajo thotë se me ndërhyrjen e kryetarit të bashkisë u hap rruga në një pjesë tjetër, jo aty ku bëhej sherri./tvklan.al