Apple po punon mbi optimizimin e kamerës në iPhone 16 Pro për t’i dhënë fund fotove të paqarta.
Fotografitë që janë pa fokus për shkak të dritës së diellit apo lëvizjes janë një problem i zakonshëm për përdoruesit e iPhone. Një foto që në fillim duket e përsosur rezulton më pas me aureola, shkëndija apo imazhe flu.
Kamera e iPhone 16 Pro mund të zgjidhë të gjitha këto.
Sipas Cyber News, Apple po teston një teknologji të re që do të rrisë cilësinë e imazheve dhe do të mbrojë kamerën.
Teknologjia e mbulesës atomike që thuhet se do të përdoret në modelin e ri, ndihmon që të reduktojë në mënyrë të ndjeshme reflektimin. Ajo u lejon inxhinierëve që të shtojnë materiale në lenten e kamerës me nga një shtresë atomike. Kjo u lejon prodhuesve që të kontrollojnë trashësinë dhe përbërjen e saj.
Shtresa do të minimizojë vijat apo deformimet e tjera në foto që ndodhin për shkak të reflektimit të dritës midis lentes dhe sensorit të kamerës.
Mendohet se kjo risi do të implementohet në iPhone 16 dhe modelet e ardhshme të celularëve Apple./tvklan.al