Protesta e fermerëve ka qenë padyshim një ndër çështjet më të diskutuara së fundmi, pas pamjeve ku ata në shenjë revolte derdhnin qumështin në rrugë, sipas tyre prej çmimit të ulët.


Ata pretendojnë se ka një marrëveshje të fshehtë mes fabrikave të përpunimit të qumështit, për ta blerë këtë të fundit me 10 lekë më pak. Pas kësaj situate, Ministria e Bujqësisë organizoi një takim me të dyja palët për të diskutuar problemet dhe për të shkuar drejt një zgjidhjeje.

Në një lidhje direkte për Klan News, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj tha se të dyja palët kanë pretendime të ndryshme sa i takon çmimit.

“Është një proces që ka marrë angazhimin e Ministrisë dhe timin personal gjatë 3 muajve të fundit. Nëse ju mbahet mend edhe disa protesta në urën e Kardhiqit, në Gjirokastër ku takimet me blegtorët të të imtave krijuan jo vetëm frustrim të tyre për çështjen e qumështit që nuk merrej nga fabrikat me çmimin e pretenduar, por njëkohësisht edhe debate e diskutime. Unë kam qenë në territor duke folur me të gjithë përfaqësuesit e blegtorëve, por edhe të prodhuesve. Kësaj radhe i vendosëm në një tavolinë të përbashkët të gjithë, pra nuk diskutuam veç e veç si më përpara. Ka nga të dyja palët pretendime në raport me çmimin.”

Ajo theksoi se çmimi nuk është tagër i shtetit apo Ministrisë së Bujqësisë, por veprim operacional i kërkesë-ofertës që ndodh në treg.

“Ne jemi të vetëdijshëm që si rezultat i shumë arsyeve, nisur nga fakti që fermat tona në të shumtën janë të vogla. Edhe sasia e cilësia e qumështit pavarësisht se është në përmirësim krijon disa ngërçe. Por ngërçi kryesor në raport me qumështin e lopës është ai që vjen nga importi, me një çmim më të ulët se sa ai që prodhohet në vend.”

Sipas ministres, prodhimi vendas është në parametra mjaft të mirë dhe për t’u dhënë fund spekulimeve në lidhje me cilësinë, janë dërguar për analizë në Çeki disa mostra të marra nga të gjithë prodhuesit.

“Prodhuesit pretendojnë se kanë mall stok, ende të pashitur.”

Denaj u shpreh se duhet krijuar një raport më efektiv dhe bashkëpunues mes prodhuesve dhe blegtorëve.

“Dua të garantoj, me analizat që po bëjmë, cilësia e qumështit dhe e prodhimeve blegtorale shqiptare është e mirë. Sigurisht ka nevojë për të përmirësuar disa elemente infrastrukturorë apo investime të tjera që mos të ketë humbje. Problemi kryesor nuk qëndron te cilësia, edhe produkti që vjen nga importi, pavarësisht se ka më shumë nivel yndyre, është cilësi e standardit evropian. Ne po diskutojmë 2 elementë, a është çmimi i prodhimit vendas që përtej faktit se mund të jetë në konkurrencë me atë të importit, çmim që kënaq punën e blegtorëve dhe në marrëdhënien blegtor-prodhues a duhet të jetë më e fortë që të dy palët të cilët janë të detyruar të bashkëpunojnë për produktin Made in Albania, të gjejnë një rrugë kompromisi. Nëse sot ka stok në magazinë, kjo nuk duhet të shihet si produkt afatshkurtër i një marrëdhënie afatgjatë.”

“Subvencionimi është një element, por nuk është i pari”, nënvizoi ajo.

/tvklan.al