OpenAI po punon për një motor kërkimi për ChatGPT që mund ta kthejë në një alternativë kundrejt Google Search. Sipas Bloomberg, kompania po zhvillon opsionin e ri që mund të skanojë internetin për informacionet që kërkoni dhe të nxjerrë rezultatet që citojnë edhe burimet. ChatGPT mund të marrë informacione nga Wikipedia apo blogjet dhe t’i lidhë me faqet origjinale kur i bëni pyetje.

Bloomberg shkruan se në një version të funksionit eksperimental të kërkimit, ChatGPT mund të shfaqë imazhe dhe përgjigje të shkruara kur janë të nevojshme. Për shembull, nëse chatbot-i vlerëson që udhëzimet apo diagramat e ilustruara kanë nevojë për shpjegim, i përfshin te rezultatet.

Aktualisht ChatGPT mund të bëjë kërkime për klientët, por mund të japë përgjigje të gabuara apo citime jo korrekte.

Disa ditë më parë, në X qarkulloi lajmi se OpenAI kishte krijuar një adresë të re search.chatgpt.com.

Aksesi në të të orientonte në faqen kryesore të ChatGPT ndërsa nëse tentoni sërish, rezulton “faqja nuk  u gjet”. Kompania nuk e ka konfirmuar ende këtë risi, por duket se kërkimi përmes inteligjencës artificiale do të jetë forma e saj për të konkurruar rivalët./tvklan.al