Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un ka në plan të ftojë ekspertë dhe gazetarë nga Seuli dhe Shtetet e Bashkuara për të parë momentin kur Koreja e Veriut të mbyllë objektin e saj të provave bërthamore, në maj. Njoftimin e bënë sot zyrtarë koreano-jugorë.
Sekretari i shtypit në zyrën e presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Young-chan, citoi udhëheqësin koreano-verior sipas të cilit “Shtetet e Bashkuara, megjithëse janë nga natyra e tyre armiqësore ndak Koresë së Veriut, do të mësojnë sapo të fillojnë bisedimet se unë nuk jam një individ që do të përdorë armë bërthamore kundër Koresë së Jugut apo Shteteve të Bashkuara në anën tjetër të Paqësorit”.
Zoti Kim premtoi të ndryshojë orën në Korenë e Veriut për ta sinkronizuar me Korenë e Jugut.
Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur optimizëm për takimin me udhëheqësin koreano-verior pas bisedimeve që zhvilloi dje me Presidentin e Koresë së Jugut Moon Jae-in dhe kryeministrin e Japonisë Shinzo Abe./VOA