Shpesh janë trajtuar në “Stop” problematika, që lidhen me mospërfitimin e pagesave të paaftësisë apo Kempit.

Këtë herë “Stop” është ndalur në fshatin Rrilë të Lezhës, pasi Prende Gjoni, edhe pse prej 3 vitesh vuan nga tromboza, nuk ka arritur të jetë përfituese e Kempit.

Angje Gjoni tregon, se vjehrra e saj 88-vjeçare prej 3 vitesh nuk mund të lëvizë dhe as të flasë.

Ajo ka nisur të bëjë dokumentacionin për përfitimin e statusit të paraplegjisë në Nëntor të vitit 2019 dhe i ka nisur në Lezhë, nga ku janë nisur drejt Tiranës.

“Me 2 Tetor kam shkuar tek Shërbimi Social në tiranë, nuk e ka vizituar kurrkush. Nëse këtu vjen një doktor dhe e sheh, kjo nuk luan, nuk lëviz fare. E kam çuar në Tiranë, e di unë si e kam çuar se kjo është e kalbur krejt. Kështu që vijnë ta shohin dhe nëse kjo është në gjendje veçse të çohet pak, unë nuk kërkoj asgjë. Nuk flet fare, veç e kam kuptuar unë këto e tre vite, ia kam mësuar të gjitha. Deri në moshën 86-vjeçe ka votuar”, tha Gjoni.

Sipas komisionit rajonal të Lezhës, zonja është përfituese e grupit të parë dhe ka nevojë për përkujdesje dhe paketë higjieno-sanitare.

Gazetarja: Duke qenë se ka qenë në njëfarë forme nga ju, se është përfituese e Kempit, pse nuk e ka marrë?

Drejtori: Ka një gjë, që nuk quhet e ezauruara, kur kalon fazën e parë të Kempit rajonal këtu. Domethënë dosja bëhet për pagesë, kur plotëson gjithë dokumentacionin, ku këtu futet dhe libreza.

Gazetarja: Po librezën, ku e ka patur?

Drejtori: Libreza merret tek Drejtoria e Përgjithshme. Atje kalon dhe njëfarë filtri. Tek ai filtër ka ngel.

Gazetarja: Sipas kësaj përgjigje, ajo kurrë nuk ka qenë përfituese e kempit?

Drejtori: Jo, edhe kur plotëson gjithë dokumentacionin, merr edhe librezën, atëherë Shërbimi Social shtetëror, dosjen e atij, bashkë me librezën, e sjell këtu. Në momentin, që vjen këtu, e dërgojmë tek njësia, se dokumenti aty fle, në fund të ditës, kur ezaurohet krejt.

Për shkak të pandemisë, të interesuarat u njoftuan, se duhet të paraqiten në Kmcap Epror në Tetor të 2020-ës.

Gjatë kësaj kohe askush nuk e ka vizituar zonjën, po i kanë thënë, se nuk e përfiton Kempin, pa i dhënë asnjë shpjegim./tvklan.al