Deputeti Ralf Gjoni ka kritikuar qeverinë lidhur me procedurat e marrëveshjes me kompaninë Pfizer për vaksinat kundër COVID. Gjoni në fjalën e tij në Kuvend tha se deputetët nuk mund të votojnë një marrëveshje të cilën ata nuk e dinë se çfarë është.
Sipas tij qeveria po tallet me Kuvendin dhe e ka kthyer shtetin në një çerdhe informale, ku ka një edukatore dhe të gjithë të tjerët janë të bindur.
Ralf Gjoni: Ky ekzekutiv nuk mund të tallet në këtë farë feje me Parlamentin. Po kërkoj në rendin e ditës tekstin e akteve normative, asnjë shenjë. Deputetët e Kuvendit nuk mundet të shprehen me votim, bazuar thjesht në tituj të lexuar nga kryetari i Kuvendit.
Keni kaluar nga debati i madh i vitit të kaluar me ministren Manastirliu për vaksinën Covax, e cila nuk e di se ku po fshihet, se nuk po shohim asnjë gjurmë të saj, në disa vaksina klandestine, deri në marrëveshjen teksti i së cilave mungon. A ka mundësi të ketë transparencë, sepse kemi përgjegjësi të madhe si deputetë për të votuar shuma të mëdha në buxhet për vaksinat, por procedurat duhet të bëhen transparente. Ndryshe po e kthejmë shtetin në një çerdhe.
Gramoz Ruçi: Të lutem, avash, një minutë. Unë bëra një propozim. S’kemi të bëjmë me tallje të ekzekutivit dhe s’ka vend për ta thënë këtë. Më dëgjo, se unë të dëgjova. Të dy aktet unë i kam bërë publike në Konferencën e Kryetarëve, ku kam artikuluar fjalinë “nuk do të botohen”, por deputetët duhet të njihen absolutisht me to. Kështu që s’ka asgjë këtu për transparencë. Kjo është një kërkesë për të gjitha parlamentet dhe ne jemi të detyruar ta zbatojmë./tvklan.al