Ministria e Financave shpall zyrtarisht fituese firmën “Noa Control”
Kontrolli i pompave të naftës në pikat e karburantit do të bëhet nga një kompani private. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka shpallur zyrtarisht fituesin e tenderit për koncesionin e kontrollit të instrumentave matës të karburanteve në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, duke zyrtarizuar si fitues ofertuesin e vetëm në këtë garë kompaninë “Noa Control”.
Kontrata do të negociohet dhe firmoset brenda dy muajve. Firma dorëzoi para 4 vjetësh një ofertë të pakërkuar për të ushtruar matjen e pompave të naftës dhe u shpërblye me një bonus prej 10% të pikëve në garë.
Tenderi për dhënien e këtij shërbimi, që sot e kryen shteti përmes Drejtorisë së Meterologjisë, u zhvillua në Shtator, por më pas u pezullua nga Komisioni i Prokurimit Publik pas ankesës së dorëzuar nga kompania zviceriane “Penzoil Trading” për shkelje të barazisë dhe diskriminim në kriteret e kualifikimit në garë.
Në fund Komisioni i Prokurimit Publik vendosi që kriteret ishin në përputhje me ligjin, duke bërë që fituese në garë të shpallet shoqëria “Noa Control”.
Pas këtij vendimi kompania zviceriane ankimoi vendimin në gjykatë, ndërsa Ministria e Financave ka zyrtarizuar si fituese firmën “Noa Control”. Kompania “Noa Control” do të ketë për 20 vjet eksluzivitetin e dhënies së këtij shërbimi, duke i faturuar pikat e karburantit e duke vendosur një tarifë të re te nafta. Në këmbim të kësaj të drejte, firma duhet të bëjë një investim në pajisje në vlerën e 640 mijë Dollarëve.
Shoqata e Hidrokarbureve dhe opozita e kanë kundërshtuar dhënien e këtij shërbimi me koncension. Ky është i dyti që jepet në fushën e naftës, pas atij të markimit të karburanteve.
Tv Klan