Bllokohen disa industri, bizneset anulojnë udhëtimet në Itali
Frika e përhapjes së koronavirusit ka stepur bizneset, të cilat kanë marrëdhënie me Italinë. Kryetari i Shoqatës së Industrisë Ushqimore, Alban Zusi, thotë se të dyja palët kanë anuluar takime: si italianët të cilët kanë frikë të marrin udhëtime në aeroporte këto ditë, por edhe nga bizneset shqiptare që shkojnë për blerje mallrash në Itali.
Efektet e koronavirusit po ndihen sidomos te bizneset të cilat janë në fazën e investimit, ku një pjesë të mirë të pajisjeve dhe makinerive e marrin në Itali, ndërsa me Kinën blerjet e pajisjeve janë bllokuar prej javësh, pasi shumë fabrika janë të mbyllura.
Në Shqipëri janë 2853 ndërmarrje me pronarë apo ortakë italianë, duke e bërë vendin fqinjë shtetin më të madh sa i përket numrit të investitorëve këtu.
Italia ka dhe numrin më të lartë të të punësuarve në ndërmarrjet e huaja që operojnë në Shqipëri duke zënë 50% të punonjësve. Shumica e këtyre bizneseve operojnë në sektorin e ndërtimit, fasonerisë, call center, hotelerisë dhe restoranteve.
Tv Klan