Shkak, mosmarrëveshjet mes eksportuesve të mëdhenj
Koronavirusi është bërë shkak që çmimi i naftës në tregjet globale të bjerë në nivelet më të ulëta të 20 viteve të fundit. Çmimi i naftës u reduktua me më shumë se 30% këtë të hënë, duke arritur në 31 dollarëve për fuçi. Këtë nivel çmimesh, tregjet botërore e kanë parë vetëm para trazirave që shkaktoi sulmi terrorist i 11 Shtatorit 2001 ndaj kullave binjake në Nju Jork, që u pasuan me sulmet e ushtrisë amerikane në Afganistan, por edhe në Irak, një nga vendet kryesore eksportuese të naftës në botë.
Arabia Saudite, vendi kryesor i OPEC-ut uli në mënyrë drastike çmimin pasi dështoi në arritjen e një marrëveshjeje me Rusinë për një ulje të madhe të prodhimit të naftës, si pasojë e rënies së kërkesës për arin e zi në të gjithë botën, nga turbullirat që ka shkaktuar përhapja e koronavirusit. Arabia Saudite kërkoi reduktimin me 4% të prodhimit ditor të naftës, çka për Rusinë është e tepërt.
Për vendet importuese, rënia e çmimit është një lajm i mirë. Kina, Koreja e Jugut dhe Japonia, ndër importuesit më të mëdhenj të naftës në botë kryesisht nga Arabia Saudite, ulën kërkesën e tyre për naftë, pas masave të ashpra kundër përhapjes së koronavirusit, që frenuan industrinë e tyre.
Tv Klan