Biznesi: Qeveria të përmbushë kërkesat e ndërkombëtarëve
Rreth 300 milionë Euro përllogaritet dëmi ekonomik që ka pësuar Kosova si pasojë e sanksioneve që Bashkimi Europian i ka vendosur Prishtinës si kundërpërgjigje për situatën e krijuar në veri dhe vendimin e autoriteteve për të mos u koordinuar me partnerët europianë për uljen e tensioneve. Për biznesin kosovar, ky dëm sa vjen bëhet edhe më i madh.
“Deri më tani sipas informatave që i kemi sillen rreth 300 milionë, mirëpo kjo shkon duke u rritur për arsye se çdo muaj vijnë projekte të reja që ne nuk mund t’i marrim se nuk mund të implementojmë për shkak të masave që janë vendos”, thotë Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Nisur nga kjo, biznesi në Kosovë i bën thirrje qeverisë që të bëjë gjithçka duhet që masat e Brukselit të hiqen.
“Kërkesa jonë është edhe ndaj institucioneve këtë rast Qeverisë së Republikës së Kosovës, që këto masa të largohen sa më shpejt, kërkesa jonë orientohet te qeveria që të bëjë gjithçka brenda kapaciteteve të tyre, që t’i plotësojnë kushtet që kërkohet mënyrë që të largohen sa më shpejt këto masa”.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës thotë se tensionet në veri po dëmtojnë imazhin e Kosovës në sytë e investitorëve potencialë, prandaj kërkon më shumë angazhim në përmbyllje të dialogut me Serbinë.
Tv Klan