Kombëtarja e Kosovës po stërvitet me intensitet maksimal për dy ndeshjet e “Play-off”-it të Ligës së Kombeve. Dardanët do të përballen me Islandën më 20 mars në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa ndeshjen e kthimit e luajnë më 23 mars në Murcia të Spanjës.
Tekniku Franco Foda ka punuar shumë me skuadrën, me “Dardanët” sidomos në aspektin taktik. Kosova synon ta shfrytëzojë ndeshjen në “Fadil Vokrri” për të marrë epërsi ndaj Islandës, me synimin e qartë: ngjitjen në Divizionin B të Ligës së Kombeve dhe vazhdimin e ëndrrës në arenën ndërkombëtare. Bilanci nuk është pozitiv për Kosovën, duke humbur dy ndeshjet direkte në kualifikueset e Kupës së Botës 2017.
Në krahun tjetër, islandezët po përjetojnë një moment negativ, gjithsesi mbeten favorit kundrejt përfaqësueses së Kosovës. Mbrojtja ka qenë delikate në sfidat e fundit, pasi pësuan 13 gola në fazën e grupeve të Ligës së Kombeve, duke rrezikuar kështu edhe rënien një divizion më poshtë.
Ermal Krasniqi ka shënuar 5 herë me Spartën e Pragës këtë sezon, teksa ka shënuar dhe në dy ndeshjet e fundit me fanellën e kombëtares. Sulmuesi pritet të jetë pikë kyçe për teknikun Foda, që mund ta përshtatë njëkohësisht me lojtarin tjetër, Vedat Muriqi.
Klan News