Nga 43 kërkesa të partive politike për garën elektorale të 11 Majit, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka regjistruar 15 subjektet e para.
Vendimarrja e KQZ-së vjen vetëm 24 orë përpara skadimit të afatit për regjistrimin e partive politike, e ku të martën KQZ-ja pritet të shqyrtojë kërkesat e depozituara gjatë të hënës, mes të cilave edhe atë të partisë së Lulzim Bashës, i cili në këto zgjedhje do të garojë nën siglën e Koalicionit Euroatlantik.
Mes subjekteve të regjistruara krahas Partisë Socialiste, asaj demokratike dhe Partisë së Lirisë janë edhe disa prej forcave të reja politike që do të garojnë në këto zgjedhje.
Demokrtatët e shfrytëzuan mbledhjen e të hënës për të ripërsëritur kërkesën e tyre që në 11 Maj emigrantët të votojnë me dokumenta biometrikë të vendeve të huaja ku ata jetojnë, propozim që u refuzua prerazi nga kreu i KQZ-së.
“Kodi zgjedhor e ka përcaktuar që do të duhet të kesh një dokument identifikimi biometrik të lëshuar nga Republika e Shqipërisë, për tu regjistruar në platformën PER”, shprehet Celibashi.
Për këtë kërkesë të demokratëve pritet që të vendosë Komisioni Rregullator.
Tv Klan