Pas bisedimeve konstruktive në Arabinë Saudite ku Kievi pranoi propozimin e administratës Trump për një armëpushim 30 ditor me Rusinë, ka ardhur edhe reagimi i parë nga Rusia.
Kremlini ka bërë të ditur se duhej të informohej nga Shtetet e Bashkuara mbi rezultatin e bisedimeve SHBA-Ukrainë përpara se të deklaronte nëse një armëpushim i propozuar është i pranueshëm për Rusinë.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gjithashtu gazetarëve se nuk përjashton mundësinë e një bisede telefonike midis presidentëve Vladimir Putin dhe Donald Trump, e cila ai tha se mund të organizohet shumë shpejt nëse është e nevojshme.
“Ne mendojme se Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Michael Waltz në ditët në vijim do të na informojnë mbi negociatat që u zhvilluan dhe krompromiset e arritura,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Nga ana tjetër edhe Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha në një intervistë se Moska do të shmangë kompromiset që do të rrezikonin jetën e njerëzve.
“Rusia e di se si të mos bëjë kompromis qe rrezikon jetën e njerëzve. Pse duhet të pajtohemi me një forcë paqeruajtëse ose ndonjë grup paqeruajtës? Ata duan që një forcë e tillë të përbëhet nga vende që na kanë shpallur armik. Ndërgjegja jonë është e pastër”, tha Sergey Lavrov.
Agjencia e lajmeve Reuters duke cituar burime nga Rusia raporton se Vladimir Putin nuk ka gjasa të pranojë propozimin e armëpushimit 30 ditor të SHBA. Sipas zyrtarëve rusë, çdo marrëveshje duhet të marrë parasysh përparimet ruse në fushën e betejës dhe të adresojë shqetësimet e Moskës.
Ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, pas bisedimeve u shpreh se “topi është në fushën e rusëve” për të pranuar armëpushimin. Nga ana tjetër Presidenti Volodymyr Zelensky e cilësoi propozimin për armëpushim “pozitiv”.
Klan News