Tarifat e vendosura nga Presidenti amerikan Donald Trump për çelikun dhe aluminin e importuar në Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në fuqi.
Kjo ka shkaktuar një përgjigje të menjëhershme nga Bashkimi Evropian, i cili ka bërë të ditur se do të vendosë kundërtarifa për miliarda Euro mallra amerikane. Komisioni Europian ka shprehur keqardhje për vendimin e SHBA për të vendosur tarifa të tilla, duke i konsideruar ato të pajustifikuara.
Në një konferencë për gazetarët, Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, u shpreh se tarifat e tilla do të dëmtojnë tregtinë transatlantike, janë të dëmshme për bizneset dhe konsumatorët dhe do të rrisin çmimet.
“Tarifat janë të këqija për biznesin, dhe akoma më keq për konsumatorët. Këto tarifa po prishin zinxhirët e furnizimit. Ato do të sjellin pasiguri për ekonominë. Vendet e punës janë në rrezik dhe çmimet do të rriten në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara. Bashkimi Evropian duhet të veprojë për të mbrojtur konsumatorët dhe biznesin. Kundërmasat që marrim sot janë të forta, por proporcionale. Duke qenë se SHBA po aplikon tarifa prej 28 miliardë dollarësh, ne po reagojmë me kundërmasa me vlerë 26 miliardë Euro”, tha Presidentja e Komisionit Europian.
Kundërmasat do të hyjnë në fuqi duke filluar nga 1 Prilli. Më pas nga mesi i Prillit, BE do të vendosë një raund të ri kundërmasash në përgjigje të tarifave të SHBA. Këto do të ndikojnë në eksportet e SHBA me vlerë deri në 18 miliardë euro, duke plotësuar kështu vlerën totale të BE-së në 26 miliardë Euro, që përputhet me shkallën e tarifave amerikane.
Von der Leyen u shpreh gjithashtu se BE është e gatshme të përfshihet në dialog. Tarifat e SHBA deri në 25% do të zbatohen për çelikun dhe aluminin, produktet e tjera gjysmë të gatshme dhe të gatshme prej çeliku dhe alumini, si dhe derivatet nga pjesët e makinerive deri te gjilpërat e thurjes.
Tarifat nuk do të kenë asnjë përjashtim për vendet europiane. Ministri i Tregtisë i Mbretërisë së Bashkuar Jonathan Reynolds tha se ai ishte i zhgënjyer dhe “të gjitha opsionet ishin në tryezë” për t’u përgjigjur në interesin kombëtar. Rritja e shqetësimeve për koston e luftës tregtare shkaktoi një shitje në tregjet e aksioneve në SHBA dhe atë botërore.
Klan News